Hammond: Trajtimi i shkeljeve të ligjit dhe lufta kundër korrupsionit, me rëndësi për Shqipërinë
2024-07-25 14:07:50

Drejtori i pergjithshem i Agjencise se Mbikeqyrjes Policore, Florian Sulejmani (Foto Atsh)

Drejtori i pergjithshem i Agjencise se Mbikeqyrjes Policore, Florian Sulejmani (Foto Atsh)

Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Florian Sulejmani, priti në takim shefen e Zyrës së Sigurisë, njëkohësisht zv.shefe e komanduar e Misionit të Ambasadës së SHBA-së në Shqipëri, Kathryn Hammond, shkruan “ATSH”.

Në këtë takim Hammond shoqërohej edhe nga atasheu për Asistencën në Çështjet e Zbatimit të Ligjit, njëkohësisht përfaqësues i programit ICITAP, Richard Deasy, dhe Këshilltari i Lartë për Llogaridhënien Policore nga Programi ICITAP në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë, Rick Bates.

Në fokus të takimit ishte ecuria e aktivitetit të agjencisë në këtë 6-mujor të parë të këtij viti, vështirësitë e hasura në trajtimin e rasteve madhore, bashkëpunimi i vazhdueshëm me programin ICITAP dhe prioritetet e agjencisë në vazhdim.

“Rezultatet e deritanishme janë më të mirat se çdo vit paraardhës, krahasuar edhe me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo falë punës së vazhdueshme për të rritur besimin e qytetarëve dhe sigurisht falë mbështetjes së pakursyer të Ministrit të Brendshëm. Shpreh mirënjohjen ndaj qeverisë amerikane, e cila nëpërmjet programit ICITAP dhe agjencive ligjzbatuese ka dhënë asistencën e saj që në fazat e hershme të përshtatjes së legjislacionit, rritjen e kapaciteteve teknologjike, fushatat promovuese dhe trajnimet profesionale të stafit”,- deklaroi Sulejmani.

Hammond përgëzoi drejtuesin e agjencisë për përqafimin e metodave moderne të lidershipit, duke theksuar se rezultatet e arritura në funksion të përmbushjes së misionit për mbikëqyrjen civile, trajtimin e shkeljeve të ligjit dhe lufta kundër korrupsionit janë një hap shumë i rëndësishëm për Shqipërinë.

Në përfundim Sulejmani garantoi një angazhim edhe më të madh në funksion të kthimit të agjencisë në një institucion civil dhe tërësisht të hapur për qytetarët. (Irma)