Raporti (Foto Together for life)
Për të tretin vit radhazi Shoqata “Together for life”, që monitoron menaxhimin e fondeve në shëndetësi analizon shpenzimet publike në këtë sektor, duke u fokusuar në investimet publike të realizuara nga viti 2014 deri në vitin 2024. Kjo jo vetëm për të identifikuar buxhetet prioritetet sesa përfituesit që janë parashikuar dhe që realizohen por edhe nivelin e transparencës së institucionit. Sipas prezantimit të fundit vërehet një përmirësim i lehtë i treguesve të raportimit nga Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Financës, por përsëri ka probleme të mëdha që kanë të bëjnë me mungesën e analizës të buxhetit se si janë përdorur fondet.
Alma Lahe Menaxhere e Shoqatës “Together for life” është shprehur për Tv Scan se vërehet një trend rënës të fondeve për Ministrinë e Shëndetësisë.
“Për sa i përket ministrisë, ajo ka dy portofole të mëdhenj; shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale. Në totalin e vet në vitin e fundit ka qenë 3.3 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto fondi për gjithë ministrinë, fondi i realizuar, faktiku. Ka një ulje krahasimisht me vitin 2021 që ka qenë 4.2 % dhe në 2022 ka qenë 3.2% . Ka një trend, 3.6 % të dukshëm rënës. Po të vemi tek sektori i shëndetësisë që është më vete edhe buxheti i dedikuar atij është buxhet më vete, duket përsëri në trend rënës. Nga 3.4% që ka qenë në vitin 2021 në 3.1 % në 2022 dhe 2.8% në vitin 2023. Kjo shikohet me shqetësim”-tha Lahe.
Gjetjet flasin për një rënie të buxhetit.
“Rënia e buxhetit dhe ajo që bie në sy për vitin 2023 ka pasur një shkurtim të buxhetit për shëndetësinë gjatë vitit buxhetor. Në mes të vitit 2023 ka pasur një ulje mbi 1 miliardë lekë në zërin e shëndetësisë dhe kjo ka kaluar tek mbrojtja sociale. Ky është një tregues shumë i dukshëm që do të thotë që nuk është prioritet i qeverisë shqiptare. Tani është koha që ta diskutojmë dhe vetë ministria kur të prezantojë dhe projekt- buxhetin e ri që ne po e presim, duhet të jetë realiste dhe mos të reklamohet si prioritet. Nga buxheti dhe nga tendenca rënëse vit pas viti është e dukshme që nuk është një prioritet i qeverisë shqiptare”, u shpreh Lahe
Ekspertët e shohin me shqetësim fokusin për shëndetësinë.
“Vetë qeveria shqiptare në politikat e veta e ka planifikuar si një nga sektorët prioritar të saj, ndërsa nga buxhetet kuptohet që nuk është.”
Alma Lahe (Foto gazeta panorama)
Sipas “Together for life” shifrat nuk janë shumë optimiste.
“ Është shqetësuese. Pjesa e buxhetit, pavarësisht se në terma të drejtpërdrejtë nuk ka ndikim, por buxhetimi i shëndetësisë jo në bazë të nevojave që ka sektori, analizës së nevojave, është një buxhet i dedikuar dhe ndahet diku plotëson 80% diku 70% apo diku 50%, nuk ka një analizë dhe ky është problemi më i madh.”
Çfarë sjell ky realitet dhe çfarë do të thotë për qytetarët.
Grafikët(Foto Together for life)
“Do të thotë që 60% të shpenzimeve të nevojshme për shendetësinë dhe vetëm 40% mbulohet nga buxheti i qeverisë. Shëndetësia nuk ka qenë asnjëherë prioritet i asnjë qeverie pavarësisht premtimeve që janë bërë në fushata elektorale, qoftë në pozitë apo opozitë. Janë premtuar shumë dhe ajo që reflekton dëshmon se nuk ka qenë asnjëherë prioritet. Situata ka ardhur duke u agravuar, duke mos u plotësuar nevoja dhe vazhdojmë ende të kemi problematika me sektorin e shëndetësisë. Ajo që vihet re është në përqindje, pra buxheti i shtetit normalisht çdo vit është më i lartë se buxheti i vitit paraardhës dhe në përqindjen që zë ai në tërë buxhetin e shtetit është rënës.”- shprehet Lahe.
Për vitet 2022-2024 është planifikuar që 13% e fondeve të dedikohet për blerje pajisjesh mjekësore, duke vijuar dominanca e alokimit të fondeve të investimeve publike për ndërtime dhe rikonstruksione godinash mjekësore. Referuar ndarjes rajonale të investimeve publike, 82% e fondit total të investimeve publike 2014-2024 alokohet në qytetin e Tiranës. Ndërkohë, mesatarisht 2-2.4% e fondit total të investimeve publike 2014-2024 alokohet në qytetet Elbasan, Vlorë, Shkodër, Sarandë, Lezhë dhe Berat. Pjesa tjetër e investimeve publike është e shpërndarë në pjesën tjetër të qyteteve të Shqipërisë, me një fond minimal prej 1% e totalit të fondit të investimeve publike të marrë në analizë. Për shembull Devolli ka marrë investime publike në shëndetësi vetëm në vitin 2017 ose Hasi vetëm në vitin 2016 dhe 2020. Këto të dhëna i referohen raportit të publikuar nga “Together for life” . Sipas këtyre gjetjeve të analizuara në total, investimet publike përgjatë periudhës 2014-2024 fokusohen në masën 60% të tyre në ndërtime dhe rikonstruksione objektesh shëndetësore (spitale, qendra shëndetësore etj), ndërkohë që vetëm 13.7% e fondeve totale përgjatë 2014-2024 shkojnë për blerjen e pajisjeve mjekësore. Kjo organizatë ka dalë me disa rekomandime, ndër to është thirrja në drejtim të eficiencës financiare, që nevojitet në mënyrë imediate të bëhet një analizë e efektshmërisë së përdorimit të fondeve publike në investimet publike në shëndetësi, pasi 60% e tyre kanë shkuar gjatë këtij 10-vjeçari për ndërtime e rikonstruksione, ndërkohë që vetëm 13% shkojnë për pajisje mjekësore, duke vënë në pikëpyetje ofrimin e shërbimit shëndetësor cilësor në publik.