Delegacioni shqiptar niset drejt Francës për Lojërat Olimpike
2024-07-25 09:34:14

Foto nga RTSH

Tetë sportistët që do të përfaqësojnë Shqipërinë në Lojërat Olimpike u nisën drejt Parisit, të shoqëruar nga kreu i Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli.

“Nuk ka emocion më të bukur se të përfaqësosh vendin tënd. Shpresoj që t’i sjellim Shqipërisë të parën medalje olimpike me të gjithë këta kampion, që ne të kemi mundësi të përfaqësohemi me dinjitet dhe me rezultat”, u shpreh Ylli në një intervistë për “RTSH”.

Po kaq optimist janë edhe sportistët të cilët presin medaljen nga këto lojëra.

“Jam shumë e emocionuar që do të mbaj flamurin. Është një nder shumë i madh dhe falënderoj Komitetin Olimpik që më dha këtë mundësi”,- u shpreh notarja Kaltra Meça.

“Djemtë tanë janë përgatitur dhe synojnë të arrijnë shkallën më të lartë të podiumit. Për sa kohë kemi shpresë dhe ëndërrojmë ne mbetemi pozitiv që këtë herë Shqipëria do t’ia dalë”,- u shpreh presidenti i Federatës së Mundjes, Sahit Prizreni.

Lojërat Olimpike Paris 2024 do të zhvillohen nga 26 korriku deri më 11 gusht, ndërsa Lojërat Paraolimpike do të zhvillohen nga 28 gushti deri më 8 shtator. (Irma)