Ministrja Manastirliu: Hapja e UNED-së në Gjirokastër, alternativë e re studimi me standarde europiane
2024-07-25 16:38:28

Ministrja Manastirliu (Foto Atsh)

Ministrja Manastirliu (Foto Atsh)

Hapja e Universitetit Kombëtar të Edukimit në Distancë të Spanjës (UNED) në Gjirokastër është një iniciativë e re që synon të ofrojë një alternativë të re studimi në vendin tonë, përmes edukimit në distancë.

Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, ndërsa diskutoi në Komisionin parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe Universitetit Kombëtar të Arsimit në Distancë, deklaroi se ky projekt synon të rrisë nivelin e arsimit të lartë në Shqipëri dhe të prezantojë një model të ri studimi, atë në distancë, shkruan “ATSH”.

“Nuk bëhet fjalë thjesht për një filial të një universiteti, por për sjelljen në Shqipëri të një institucioni që konsiderohet ekselent për sa i përket alternativës së studimit. Përmes kësaj marrëveshje synojmë të zgjerojmë dimensionin europian të arsimit të lartë në vend, duke sjellë në Shqipëri një universitet të këtij niveli që do t’u shërbejë studentëve shqiptarë, por edhe rajonit. Ky është vendi i parë në rajon ku hap degë Universiteti i Studimeve në Distancë i Spanjës”,- tha ministrja Manastirliu, duke e cilësuar draftin si një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të universiteteve shqiptare.

Ajo nënvizoi se marrëveshja do të sjellë një ofertë të re akademike, mundësi për avancim akademik dhe punësim për të rinjtë shqiptarë.

Në aktet e krijimit të UNED-së parashikohen edhe kriteret e pranimit dhe regjistrimit të studentëve. Sipas ministres, akreditimi institucional dhe vlefshmëria e studimeve të ofruara nga UNED-ja do të njihen automatikisht nga institucionet e Republikës së Shqipërisë, duke përfshirë matrikulimin dhe njohjen e diplomave.

UNED është universiteti publik kryesor i edukimit në distancë në Spanjë. Ai ka mbi 200 mijë studentë në vit dhe kampuse/filiale në 17 shtete në botë, konkretisht në 75 qytete, me 80 qendra.

UNED-ja është një lider në fushën e arsimit në distancë dhe kërkimit shkencor. (Irma)