Ministrja Muzhaqi: Rinia në qendër të reformave për Ligjin e Rinisë dhe Vullnetarizmit
2024-07-25 17:20:25

Ministrja Muzhaqi (Foto Atsh)

Ministrja Muzhaqi (Foto Atsh)

Ministrja shqiptare e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, vijon konsultimet për të formësuar ligjin “Për rininë” dhe “Për vullnetarizmin”, për të reflektuar aspiratat dhe nevojat e të rinjve shqiptarë, shkruan “ATSH”.

Gjatë një takimi me të rinjtë e Tiranës, në kuadër të turit “Rinia Ndryshon Ligjet”, u diskutua mbi mënyrat konkrete se si rinia mund të luajë një rol më aktiv dhe vendimtar në proceset politike dhe shoqërore, si dhe për krijimin e mundësive për zhvillimin e kapaciteteve të të rinjve.

Ministrja Muzhaqi theksoi se rinia është forca lëvizëse e shoqërisë dhe se zëri i tyre duhet të dëgjohet fuqishëm në çdo nivel, duke shtuar se përfshirja e rinisë në iniciativa që nxisin ndryshime pozitive në komunitet si ligji “Për Rininë” dhe ai “Për vullnetarizmin” është mekanizmi i duhur për ndryshime të qëndrueshme.

Për sa i përket ndryshimeve në kuadrin ligjor, Muzhaqi u shpreh se këto takime janë thelbësore për të siguruar që legjislacioni i ri të jetë gjithëpërfshirës dhe të pasqyrojë realitetin dhe nevojat e të rinjve shqiptarë.

Ajo garantoi se do të vazhdojë të angazhohet me rinjtë edhe në qytete të tjera për të garantuar një proces të drejtë dhe në përputhje me tipologjitë e Bashkimit Europian për një hap më pranë Shqipëria 2030. (Irma)