14 fraksione palestineze nënshkruan të martën "Deklaratën e Pekinit për përfundimin e ndarjes dhe forcimin e unitetit kombëtar palestinez". Sipas kësaj deklarate “Organizata për Çlirimin e Palestinës (OPP) është përfaqësuesja e vetme e ligjshme e popullit palestinez dhe shpalli se u arrit konsensus për qeverisjen e pasluftës të Gazës dhe formimin e qeverisë së përkohshme të pajtimit kombëtar. Pekini zyrtar është ndërmjetës i procesit të paqes në konfliktin izrelito-palestinez. Kjo marrëveshje pason raundin e bisedimeve midis Hamasit dhe Fatahut të organizuar nga Pekini në prill të këtij viti. Që nga fillimi i luftës në Gazë, Kina ka bërë shumë përpjekje diplomatike duke adresuar thirrje për zgjidhje të konfliktit me bisedime, si dhe ka dënuar luftën e Izraelit në enclave, duke bërë thirrje për krijimin e shtetit palestinez. Analisti Artur Nura komenton këtë deklaratë, si një hap të rëndësishëm në përpjekjet ndërkombëtare për shuarjen e konfliktit izraelito-palestinez dhe vlerëson rolin e diplomacisë kineze në këtë drejtim.
Foto nga ministria e Jashtme e Kinës
CMG: Të gjitha mediat ndërkombëtare kanë pasqyruar Deklaratën e Pekinit, nënshkruar nga fraksionet palestineze, rivalët Hamas dhe Fatah, të cilët e nënshkruan marrëveshjen në kryeqytetin kinez. Synimi i marrëveshjes ëështë përfundimi i ndarjes dhe forcimi i unitetit palestinez. Pekini zyrtar është ndërmjetës i paqes në konflikt. Komenti juaj për deklaratën e Pekinit
Artur Nura: Ndjekja dhe pasqyrimi i kësaj ngjarje nga mediat ndërkombëtare tregon një performance në politikën e jashtme të Pekinit, në handikapin për zgjidhje të konfliktit. Në këtë rast Pekini duke mbledhur në Kinë të gjithë aktorët dhe faktorët e rëndësishëm palestinezë me qëllim dhënien zgjidhje të konfliktit, duke ndërtuar dhe modulet e duhura të kësaj politike, demonstron vullnetin për të zgjidhur krizën. Pavarësisht se nuk ka interesa direkte, Pekini në këtë rast i jep vetes një rol ndërkombëtar gjeopolitik të rëndësishëm.
CMG: Deklarata e Pekinit nuk u arrit nga hiçi sepse Kina ka “një precedent” pozitiv në ndërmjetësim sa i përket marsit të kaluar, kur mpri rolin e ndërmjetësuesit për një afrim midis rivalëve të vjetër, Arabisë Saudite dhe Iranit. Presidenti kinez Xi Jinping bëri thirrje në muajin në një konferencë ndërkombëtare të paqes gjatë takimeve me liderët nga vendet arabe dhe gjithashtu ka dërguar një të dërguar special në Lindjen e Mesme për t'u takuar me diplomatë dhe zyrtarë. Si e vlerësoni rolin e Kinës në konfliktin në Lindjen e Mesme, ndërkohë që të gjitha diplomacitë botërore, përfshirë dhe Shqipërinë, kanë bërë thirrje për paqe?
Artur Nura: Të gjithë faktorët ndërkombëtarë, në mënyrë të veçantë SHBA, sekretari i politikës së jashtme po vijojnë negociata të vazhdueshme me palët, por këtu ka një dimension që nuk mund të anashkalohet: rezultati. Rasti që përmendët tregon një konseguencë të politikës së jashtme të Pekinit për të arritur rezultate në këtë krizë. Në fakt njohësit e politikës së jashtme kineze kuptojnë se kjo nuk është një iniciativë e ndarë nga të tjerat. Mjafton të kujtojmë rastin e konfliktit në Ukrainë. I dërguari i posaçëm i presidentit kinez Xi, ish ambasadori i Kinës në Rusi ndërtoi negociata me të gjitha palët në mënyrë të drejtpërdrejtë për të propozuar planin e zgjidhjes së konfliktit.
Jo rastësisht përmendim dhe vizitën e ministrit të jashtëm të Ukrainës në Pekin, i cili sipas të gjitha deklaratave ka kërkuar të ketë një dialog të drejtpërdrejtë për të arritur një takim midis presidentit Zelensky dhe atij kinez Xi. Pekini konsiderohet si një aktor i rëndësishëm që ofron zgjidhje në konflikte. Bëhet fjalë për konfliktet më të rëndësishme globale që kanë ndikuar te të gjithë me pasoja ekonomike.
Pekini ka performance dhe disponim në këtë drejtim. Marrëveshja midis të gjithë aktorëve palestinezë dhe propozimi i tre pikave të pranuara nga të gjitha palët, tregon për një strategji eficiente. Perëndimi duhet ta konsiderojë dhe të negociojë për të mbështetur këtë zgjidhje afatgjatë. Pika e pare e marrëveshjes është armëpushimi në mënyrë që të mos ketë më sulme, viktima. Edhe Shqipëria është shprehur qartë për zgjidhjen paqësore të konfliktit. Ndërkohë ka negociata dhe nga anë të tjera por nuk jemi ende të qartë për zgjidhjen e krizës. Në analizën time zgjidhja me konfliktit me dy shtete dhe në mënyrë paqësore mbetet varianti më i pranueshëm i kësaj krize.
Marrëveshja e së martës pason raundin e mëparshëm të bisedimeve midis Hamasit dhe Fatahut të organizuar nga Pekini në prill. Që nga fillimi i luftës në Gazë, Kina – e cila është përpjekur të forcojë ndikimin dhe lidhjet e saj në Lindjen e Mesme vitet e fundit – është paraqitur si një zë udhëheqës që dënon luftën e Izraelit në enklavë dhe bën thirrje për krijimin e shtetit palestinez.
Kina befasoi shumë njerëz marsin e kaluar kur mori rolin e ndërmjetësuesit për një afrim midis rivalëve të vjetër, Arabisë Saudite dhe Iranit.
Intervistoi Eda Merepeza