Ministrja Pirdeni: Strategjia kundër korrupsionit synon edhe sektorin privat
2024-07-25 14:09:54

Ministret Pirdeni dhe Ibrahimaj (Foto Atsh)

Ministret Pirdeni dhe Ibrahimaj (Foto Atsh)

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsinin, Adea Pirdeni, dhe ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, zhvilluan një takim konsultativ me përfaqësues të bizneseve dhe Dhomave të Tregtisë për të diskutuar Strategjinë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024-2030, shkruan “ATSH”.

Ministrja Pirdeni deklaroi se strategjia e re ka në fokus të shtuar parandalimin e korrupsionit në sektorët privatë me risk të lartë korrupsioni.

“Një sërë çështjesh vijnë si risi në këtë strategji, qëllimi është thellimi në luftën kundër korrupsionit me një fokus shumë më të qartë në sektorët vulnerabël ndaj korrupsionit. Një nga risitë që doja ta theksoja në mënyrë të veçantë është se strategjia promovon për herë të parë elementë të integritetit në sektorin privat.

Në këtë strategji, promovimi i integritetit në sektorit privat është thelbësor në drejtim të promovimit të sjelljeve refuzuese ndaj korrupsionit”,- u shpreh ministrja Pirdeni.

Promovimi i integritetit në sektorin privat do të bëhet në bashkëpunim me dhomat e tregtisë, të cilat kanë marrëdhënie të ngushta dhe direkte me biznese e kompani private, me qëllim identifikimin e sfidave dhe pengesave përkatëse për integritetin në këtë sektor dhe mënyrat për t’i kapërcyer ato. Për këtë qëllim, në mënyrë periodike do të organizohen aktivitete të përbashkëta për rritjen e ndërgjegjësimit mbi sfidat dhe pengesat në lidhje me sektorin privat.

Gjithashtu, planifikohet të hartohet Kodi i Etikës dhe Planit të Integritetit në bashkëpunim të ngushtë me dhomat e tregtisë dhe kompanitë e mëdha që i kanë tashmë të ngritura dhe në funksionim mekanizmat e integritetit.

Diskutimet e hapura për Strategjinë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024-2030 do të vijojnë të zhvillohen gjatë kësaj jave me përfaqësues të medias, shoqërisë civile dhe akademikë. Gjithashtu, do të zhvillohen diskutime me përfaqësues të institucioneve të vetëqeverisjes vendore. (Irma)