Mali i Zi (Foto Atsh)
Kryeministri malazez, Milojko Spajiç, riorganizoi kabinetin qeveritar, duke prezantuar një formacion të ri me ndikim pro serb dhe boshnjak dhe duke zgjeruar shumicën e tij parlamentare nga 46 në 53 deputetë, shkruan “ATSH”.
Pothuajse nëntë muaj pas marrjes së detyrës, qeveria e re siguroi miratimin nga 53 nga 81 deputetë, ndërsa opozita bojkotoi votimin.
Partia e qendrës “Europa tani” (PES), e udhëhequr nga Spajiç, fitoi zgjedhjet parlamentare në qershor 2023, por nuk ishte në gjendje të siguronte një shumicë absolute. Pas negociatave të zgjatura, Spajiç më në fund arriti të formonte qeverinë e tij të parë të koalicionit në tetor 2023.
Katër nga ministrat e sapoemëruar janë anëtarë të partisë “Demokracia e re serbe” (NSD), e udhëhequr nga kryetari i Parlamentit Andrija Mandiç.
Partitë pro-serbe dhe pro-ruse, duke përfshirë NSD-në dhe “Aleancën për ardhmërinë e Malit të Zi” (ZBCG), kishin mbështetur më parë qeverinë Spajiç, por nuk kishin poste ministrore. Në vend të kësaj, atyre iu caktuan role të rëndësishme brenda administratës shtetërore dhe në kompanitë shtetërore dhe të lidhura me to.
Partisë Boshnjake (BS), më parë në opozitë, i janë dhënë pesë poste ministrore, duke përfshirë ministrin e parë të Jashtëm boshnjak, Ervin Ibrahimoviç, i cili është gjithashtu një nga shtatë nënkryetarët e qeverisë. (Irma)