Foto nga ATSH
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura kanë nisur punën për hartimin e planit të shpalljes zonë e mbrojtur e kategorisë IV (Park Natyror) të zonës Pashtrik-Morinë, shkruan “ATSH”.
Ky plan vjen si mbështetje për vlerat e natyrës dhe të biodiversitetit që ka ekosistemi natyror Pashtrik-Morinë, sikurse dhe mbi bazën e dispozitave që rrjedhin nga ligji “Për zonat e mbrojtura”, i ndryshuar, që si objekt të tij, ndër të tjera, ka shpalljen e zonave të mbrojtura mjedisore.
Pashtriku është një mal që gjendet në Kosovë dhe në Shqipëri, me një lartësi prej 1986 metra. Përgjatë këtij mali kalon lumi i Drinit të Bardhë në Kosovë. Dy të tretat e malit i përkasin Shqipërisë.
Pashtriku është i vendosur në verilindje të Shqipërisë, ndërsa fshati Krumë është i pozicionuar në krah të tij.
Kjo iniciativë është ndërmarrë që në vitin 2016 me idenë e shpalljes në të dy anët e kufirit si park natyror ndërkufitar.
Në bazë të pozicionit gjeografik ky territor lidh tre zona të rëndësishme ekologjike në Shqipëri, siç janë Parku Kombëtar Alpet e Shqipërisë, Parku Natyror Munella dhe Parku Natyror Korab-Koritnik.
Zona përfaqëson një nga korridoret ekologjike më të rëndësishme për sa i përket biodiveristetit të larmishëm që ka.
Duke ju referuar vlerave të larta të biodiversitet që zona mbart dhe rëndësinë si korridor ekologjik është e rëndësishme që zonës t’i jepet statusi ligjor si zonë e mbrojtur mjedisore, pasi në këtë zonë strehohen shumë lloje që janë në rrezik zhdukje dhe kërkojnë ruajtje dhe kujdes të veçantë. (Irma)