Nënshkruhet marrëveshja për përmirësimin e funksioneve parlamentare dhe proceseve zgjedhore në Shqipëri
2024-07-24 14:59:42

Nikolla-Celibashi-ambasadorja zvicerane (Foto Atsh)

Nikolla-Celibashi-ambasadorja zvicerane (Foto Atsh)

Kuvendi i Shqipëisë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe qeveria e Zvicrës nënshkruan marrëveshjen mbi përmirësimin e funksioneve parlamentare dhe proceseve zgjedhore, shkruan “ATSH”.

Marrëveshja për programin “Mbështetje për Parlamentin dhe Edukimin Qytetar”, u nënshkrua në kryesinë e Kuvendit nga kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, dhe ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber.

Kjo marrëveshje trepalëshe do të mbështesë me asistencë teknike përmirësimin e funksioneve përfaqësuese, ligjbërëse dhe mbikëqyrëse të Kuvendit si dhe administrimin dhe transparencën në proceset zgjedhore.

“Marrëveshja synon përmirësimin e funksionit përfaqësues, legjislativ dhe kontrollues të Kuvendit, nëpërmjet përmirësimit të procesit zgjedhor, realizimit të një procesi ligjbërjeje të bazuar në të dhëna, forcimit të bashkëpunimit me institucionet e pavarura dhe kontributit aktiv të shoqërisë civile në këto procese. Zbatimi i projektit do të kontribuojë në rritjen e përgjegjshmërisë, llogaridhënies, produktivitetit dhe transparencës së veprimtarive të Kuvendit të Shqipërisë. Suksesi i zbatimit të projektit PACEP na solli në këtë fazë të dytë, e cila kam besim se do të jetë po aq e suksesshme sa edhe e para”,- deklaroi kryeparlamentarja Nikolla.

Celibashi theksoi se PACEP 2 është një dëshmi e angazhimit të përbashkët për të forcuar demokracinë dhe për të garantuar transparencë dhe besueshmëri në proceset zgjedhore.

Ambasadorja Huber u shpreh se roli i Parlamentit shihet si thelbësor për demokracinë në Shqipëri.

Sipas marrëveshjes, qeveria zvicerane përkushton 9.5 milionë franga zvicerane deri në vitin 2028 për të realizuar këtë projekt mbështetës. Disa nga rezultatet e pritshme kanë të bëjnë me kuadrin ligjor të zgjedhjeve, me proceset e ligjbërjes, me rritjen e rolit mbikëqyrës të Parlamentit, me administrimin e zgjedhjeve si dhe rritjen e transparencës së proceseve zgjedhore.

Partnerët zbatues të projektit janë OSBE-ja, Instituti Demokratik Kombëtar (NDI) dhe Global Governance Partnership (GBG). (Irma)