Korridori blu (M Travel Vlog)
Korridori Adriatiko-Jonian, i quajtur ndryshe Korridori Blu është pjesë e Korridorit të madh mesdhetar prej 1560 kilometrash, një projekt rajonal e europian, me impakt të jashtëzakonshëm, realizimi i së cilit pritet t’i shërbejë drejtëpësëdrejti transformimit të mëtejshëm ekonomik dhe social të vendit, si dhe vetë lëvizjes në unazën më të madhe që është unaza e Mesdheut.
Në qershor u hap rruga Thumanë – Kashar, një autostradë 21 km e gjatë ku makinat mund të lëvizin me shpejtësi deri në 130 km/h. Ky aks është i pari i Korridorit Blu, që i paraprin tre kantiereve të reja Thumanë - Milot, Kashar - Lekaj dhe Lekaj – Fier për të cilat do të nisë puna në vijim.
Në një intervistë për Tv Scan Arben Halili, ekspert i ekonomisë dhe ish-drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore thotë se përfitimi është i jashtzakonshëm në aspektin ekonomik si për qytetarët dhe për bizneset e të dyja vendeve.
“Përfitimi më i madh duhet të ishte në aspektin ekonomik, sepse çdo projekt infrastrukturor, veçanërisht projektet kapitale qëllim parësor duhet të kenë përfitimet ekonomike, të cilat më pas duhet të shoqërohen edhe me përfitime të tjera politike, apo edhe të sigurisë. Në këtë drejtim në të gjitha shtetet nëpër të cilat kalon Korridori i 8, në radhë të parë do të jetë një lehtësim i jashtëzakonshëm për kompanitë që operojnë brenda këtyre shteteve, por nga ana tjetër territori i këtyre shteteve do mund të përdoret nga shumë kompani dhe nga shumë përfitues të tjerë të shërbimeve të këtij projekti kapital. Ndërtimi ose përfundimi i akseve rrugore, respektivisht i pjesëve të Korridorit 8 në çdo shtet përkatës do ishte një derë e hapur për shumë investitorë potencialë, për të realizuar aktivitetin e tyre brenda këtyre shteteve, duke patur një qasje më të lehtë qoftë në Korridorin 8, ose përmes Korridorit 8 dhe në kohë të ndryshme në Bullgari ose në Republikën e Shqipërisë.”- u shpreh Halili.
Ndërkohë porti i Durrësit vazhdon të jenë i shfrytëzueshëm dhe me benefite nga bizneset.
Arben Halili (x.comarbenhalili)
“Portet e Shqipërisë vazhdojnë të përdoren nga kompani nga Maqedonia, ashtu siç përdoren edhe nga kompanitë nga Kosova, megjithatë e vërteta e hidhur është që për kompanitë në përgjithësi, në kompanitë në Maqedoni, target kryesor ose port kryesor hyrës për sjelljen e mallrave përdoret edhe porti i Selanikut. Kjo që të ndryshojë, sigurisht që është mëse e domosdoshme të përfundohet në kohë pjesa e detyrimeve që ka shteti i Maqedonisë në Korridorin 8. Të kopjojmë atë që bëri Republika e Shqipërisë dhe tashmë ka ardhur në Qafë Thanë. Nga ana tjetër, prej të paktën 10 apo 15 vitet e fundit pjesa nga Gostivari deri në Kërçovë e Strugë vazhdon të ndërtohet dhe nuk po i shihet fundi.”
Kjo kontratë duket se ka ngecjet e saj.
“Të shpresojmë që kontrata e fundit e nënshkruar me kompaninë Bectel Enca që parasheh deri në fund të vitit 2026 të përfundojë ky projekt. Në qoftë se vërtetë do të ndodhë ashtu siç është nënshkruar, atëherë shumë shpejt do të jemi në gjendje t’i ndjejmë dhe përfitimet ekonomike si vend.”
BE është duke zbatuar strategjinë “Global Gateway” që lidh vendet dhe rajonet në mbarë botën, duke nxitur investimet publike dhe private në një rrjet global të transportit dhe zinxhirëve të furnizimit.
Korrridori blu (CNA)
“Maqedonia e Veriut vetëm në çështjen e dokumentacioneve ka ecur përpara, kështu që fatkeqësisht në implementimin e projekteve është shumë edhe më keq krahasuar me atë që thamë deri më tani për korridorin 8. Le të shpresojmë me ndryshimet e reja që ndodhën në shtet, ndoshta do të ketë një fokus më të rëndësishëm në implementimin e projekteve infrastrukturore dhe përmbushjen e detyrimeve që janë të nënshkruar. Në fund të fundit implementimi i Korridorit 8 nuk është vetëm interes i shtetit të Maqedonisë, por është interes më i gjerë evropian dhe besoj që Maqedonia do arrijë të përmbushë këta detyrime.”
Vepra e Korridorit Blu është një projekt jo vetëm kombëtar, po edhe rajonal e evropian, i cili lidh Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë me unazën mesdhetare që sot për sot ndalet në jug të Kroacisë. Projekti ka si synim të lehtësojë edhe lidhjen me Kosovën, si edhe afron ndjeshëm Veriun me Jugun e Shqipërisë.