Ministri Balla (Foto Atsh)
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, reagoi pas bllokimit të 40 mjeteve lundruese gjatë kësaj jave nga Ksamili në Velipojë nga Policia Kufitare.
“Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare janë në gatishmëri për të garantuar paprekshmërinë e perimetrit të sigurisë në plazhet e vendit”,- deklaroi ministri Balla, shkruan “ATSH”.
Ai përgëzoi forcat e policisë për reagimin në kohë ndaj 40 rasteve të konstatuara në 24 orë dhe dhënien e ndihmës në 12 raste.
Ministri Balla kërkoi nga njerëzit të denoncojnë çdo rast shkeljeje.
Policia bën të ditur se mjetet e bllokuara janë 30 jet ski, 5 skafe dhe 5 gomone.
26 mjete lundruese janë bllokuar nga Ksamili në Vlorë. 10 mjete lundruese janë bllokuar nga Durrësi në Shëngjin. 4 mjete lundruese janë bllokuar në Velipojë. 13 prej mjeteve lundruese të bllokuara janë konstatuar nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Njësisë Policore Detare, duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, shkelje e cila rrezikonte jetën e pushuesve.
Drejtuesit e këtyre mjeteve janë ndëshkuar secili me masë administrative 100.000 lekë.
Drejtuesit e 27 mjeteve të tjera lundruese, krahas masës së bllokimit të mjeteve, u ndëshkuan secili me masë administrative 10.000 lekë për mungesë dokumentacioni. (Irma)