Autoritetet kineze e kanë theksuar shpesh se nga zhvillimi i Kinës dhe nga tregu gjigant i saj do të përfitojnë edhe vendet e tjera, dhe duket se Shqipëria është një dëshmi e mirë për këtë.
Raporti i INSTAT-it
Sipas të dhënave të publikuara së fundmi nga Instituti i Statistikave i Shqipërisë (INSTAT), Kina është vendi me të cilin eksportet shqiptare kanë pasur rritjen më të madhe në 6-mujorin e parë të këtij viti, plot 25 %. Kjo shifër bie edhe më shumë në sy në sfondin kur eksportet shqiptare kanë njohur rënie si në përgjithësi, ashtu edhe me vendet e rajonit dhe me disa nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të Shqipërisë.
Kështu, në gjashtë muajt e parë të këtij viti, eksportet e mallrave shqiptare arritën vlerën e përgjithshme 199 miliardë lekë, 14.9 % më pak se në të njëjtën periudhë të vjetshme. Eksportet e Shqipërisë në dy vende fqinje dhe partnere të mëdha tregtare të saj, Italinë e Greqinë, u ulën përkatësisht 14.9 % e 24.8 %, ndërkohë që me një vend tjetër të rajonit, si Mali i Zi, rënia arrin deri 32 %.
Kina vazhdon të jetë një ndër partneret më të mëdha të Shqipërisë. Tregtia me vendin e largët aziatik në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024 përbëri 7.6 % të vëllimit të përgjithshëm të tregtisë së jashtme të Shqipërisë, duke zënë vendin e tretë pas Italisë me 28.7 % e Turqisë me 8.5 %, dhe duke lënë pas Greqinë, me 7.3 %. (Artan Goga)