Triptiku infrastrukturor dhe ekonomia e Shqipërisë
2024-07-23 10:05:29

Viti 2024 ka paraqitur deri tani investime të rëndësishme në infrastrukturën rrugore, ajrore dhe hekurudhore të vendit, të projektuara nga qeveria shqiptare.

Të përqëndruara në këto tre qasje transporti, rrugët, aeroportet dhe hekurudhat përfaqësojnë një triptik të rëndësishëm për zhvillimin e qendrueshëm të ekonomisë sonë.

Gjatë këtij viti, infrastruktura rrugore ka shënuar dy momente kulmore në infrastrukturën rrugore. Së pari, më 30 qershor 2024 përfundoi aksi Thumanë-Kashar, i kategorisë “A” të Bashkimit Evropian, një nga segmentet e rëndësishme rrugore të Korridorit Blu. Korridorit Blu në Shqipëri është pjesë e unazës europiane të turizmit mesdhetar. Segmenti Thumanë-Kashar është i gjatë 20.8 km dhe lidh Veriun e Shqipërisë me kryeqytetin dhe me Jugun, me shpejtësi deri në 130 km në orë, me standardet me te larta te sigurise.

Aksi rrugor Thumanë-Kashar po lehtëson ndjeshëm trafikun, për shkak të vëllimit të lartë të trafikut, nga ngarkesa në Fushë Krujë dhe në nyjën e Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit.

Për vitin 2023, Rinasi përpunoi 7.1 milionë pasagjerë, ndërkohë që rruga për në aeroport, e ndërtuar gjashtë dekada më parë, ishte planifikuar për një numër tre herë më të pakët pasagjerësh, të cilët lëvizin që të gjithë me automjete, pasi ende nuk kemi linjë hekurrudhore efektive Tiranë-Rinas-Durrës.

Unaza e madhe e Tiranës (Foto Shqiptarja.com)

Unaza e madhe e Tiranës (Foto Shqiptarja.com)

Duke patur parasysh një trafik prej të paktën 300 mijë automjetesh në muaj, përllogaritet një shpenzim shtesë për qytetarët, sido për ata që vinin nga Prishtina, Podgorica, nga Shkodra, nga Durrësi, Shkupi apo nga Tirana për në Rinas, prej të paktën 1.5 milionë euro në muaj. Në vit shkojnë 18 milionë euro. Pa llogaritur kohën më shumë të harxhuar prej qytetarëve, në atë që mbiquhej “gracka kohore” e Rinasit.

Më 5 korrik 2024, u hap për automjetet Tuneli i Llogarasë, i nisur në nëntor të vitit 2021. Ky tunel është i gjatë 6 kilometra dhe përfaqëson ndër tunelet më të gjatë në Ballkan. Me të shkurtohet me të paktën 35-40 minuta koha e kalimit të turistëve për në perlën e Jugut, Rivierën Shqiptare. Tuneli i Llogarasë eliminon rreth 600 metra lartësi dhe kalimet e pjerrëta të rrugës, me mundësi jo të vogla aksidentesh dhe amortizim të lartë makinash.

Me këtë tunel, mbërritja e vizitorëve në destinacionet e njohura turistike te Shqiperise si Palasë, Dhërmi dhe Himarë, realizohet me një udhëtim më komod, duke u kursyer ndjeshëm qytetarëve dhe turistëve të huaj karburantin. Si aksi rrugor Thumane-Kashar dhe Tuneli i Llogarase po ndihmojnë fort pikun e turizmit veror në Shqipëri, gjatë muajve korrik-shtator 2024.

Në dhjetor 2024 dorëzohet edhe një tjetër aks kombëtar me rëndësi themelore, Unaza e Madhe e Tiranës. Në dhjetor 2024, ajo do të jetë e disponueshme për të gjithë trafikun nga autostradat e Jugut, Veriut dhe Lindjes së Shqipërisë. Me Unazën e Madhe të Tiranës marrin fund rradhët e gjata të automjeteve në hyrje dhe dalje të Tiranës. Po në vitin 2024 mbaron edhe rruga Korçë-Ersekë, si  dhe rruga që lidh Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës me Autostradën Fier-Vlorë dhe qytetin e Vlorës.

Tuneli i Llogarasë (Foto Balkanweb)

Tuneli i Llogarasë (Foto Balkanweb)

Ndërkohë, në dhjetor 2024 përfundon edhe një pjesë e projektit të zgjerimit dhe modernizimit të rrugës Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e Korridorit të Tetë. Korridori i Tetë do të përbëjë një nga bazat, mbi të cilat do të zhvillohet ekonomia e Shqipërisë në periudhën afatmesme dhe afatgjatë, pasi do të lidhë Portin e Durrësit me autostratën që shkon në Maqedoninë e Veriut dhe deri në Serbi. Ky Korridor do të bëje të mundur shfrytëzimin e plotë të transportit rrugor të mallrave dhe të pozicionit strategjik tranzit të Shqipërisë, çfarë deri tani i ka munguar ekonomisë sonë.

Në nivel të infrastrukturës ajrore, në dhjetor 2024 përfundon fizikisht së ndërtuari Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës. Ai pritet të nisë fluturimet në muajt mars ose prill të vitit 2025.

Aeroporti është i kategorisë 4E, një nga kategoritë më të larta në Ballkan, pasi kjo kategori mund të përpunojë edhe avionë transatlantikë. Pista e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës do të jetë e gjatë 3.2 km me gjerësi 60 metra dhe terminali i pritjes dhe përpunimit të pasagjerëve do të ketë një hapësirë  20 mijë metër katrorë, e mjaftueshme për të përpunuar edhe 3 milionë pasagjerë në vit.

Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës në vitin e parë të operimit do të ketë pasagjerë më shumë nga sa ishte parashikuar ne studimin e tij të leverdisshmërisë. Nga parashikimi në planin e biznesit për vetëm 330 mijë pasagjerë në vitin 2025, me ritmin e rritjes së turizmit në Shqipëri, është e sigurt që Aeroporti i Vlorës do të arrijë të presë për vitin 2025 më shumë se 1 milion pasagjerë.

Futja në veprim e aeroportit ndërkombëtar në Vlorë do t’i japë oksigjen të plotë turizmit në Jug të vendit. Aeroporti pritet ta rrisë ekonominë rajonale të Vlorës me mbi 11 përqind çdo vit, ndërsa ekonominë e Shqipërisë me mbi 0.4 përqind.

Për të mos krijuar shqetësime për turistët dhe banorët në zonën e dendur qytetare Sarandë-Ksamil, me zhurmën e ulje-ngritjes së avionëve, qeveria zgjodhi Gjirokastrën për një aeroport ndërkombëtar të dytë në Jug të vendit. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë  do të shpallë garën ndërkombëtare brenda këtij viti, për ndërtimin e aeroportit të Gjirokastrës.

Gjirokastra ka një fushe ajrore ekzistuese me bar 1 km larg nga qyteti dhe një infrastrukturë rrugore që lidh Gjirokastrën me Sarandën, në jo më shumë se 35-45 minuta. Aeroporti Ndërkombëtar i Gjirokastrës do t’i shërbejë të gjithë zonës së Jugut

Në nivel të infrastrukturës hekurudhore, punimet në terren për ndërtimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit, hekurudha që përshkruan Shqipërinë nga qendra në Veriun e saj, do të nisin në dhjetor të këtij viti. Kjo linjë hekurudhore, e gjatë 120 kilometra dhe tërësisht elektrike, ndër më të rëndësishmet për Shqipërinë, do të ndërtohet sipas parametrave të linjave hekurudhore moderne të sotme të Bashkimit Evropian.

Me hekurudhën Vorë-Hani i Hotit, qytetarët do të mbërrijnë në destinacionin që duan më shpejt dhe më lirë! Projekti parashikon ndërtimin e 12 stacioneve hekurudhore, ndërtimin e një tuneli me gjatësi 320 metra, si dhe ndërtimin e 12 urave.

Aksi Thumanë-Kashar (Foto Koha.net)

Aksi Thumanë-Kashar (Foto Koha.net)

Hekurudha parashikohet që të ketë një fluks prej 2.3 milionë udhëtarësh që në vitin e parë të funksionimit të saj, fluks që do të rritet me kohën, si dhe do të transportojë një vëllim mallrash prej 900 mijë tonësh në vit.

Nga ana tjetër, projekti i hekurudhës Tiranë-Rinas-Durrës është i pari për modernizimin e rrjetit tejet të amortizuar hekurudhor në vend. Në pak vite, do të realizohet rehabilitimi i lidhjës hekurudhore 34.2 km midis Tiranës dhe Durrësit, si dhe ndërtimi i 11 kilometrave të linjës së re hekurudhore midis Tiranës dhe Aeroportit të Rinasit.

Projekti i rehabilitimit të hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimit të zgjatimit të ri në Rinas, është pjesë e Axhendës së Konektivitetit të Procesit të Berlinit, e cila synon lidhjen mes rajonit e më gjerë me Europën Perëndimore. Trenat e vjetër do të zëvendësohen nga trena me shpejtësi të lartë  rreth 100 km/orë. Qytetari do të shkojë nga Tirana në Durrës në 22 minuta.