Kuvendi i Shqiperise (Foto Gazetadielli)
Partitë politike shqiptare kanë avancuar drejt miratimit të një Kodi të ri Elektoral. Miratimi pritet të enjten e 25 korrikut, ditë kur Parlamenti shqiptar do të mbyllë punimet e sesionit veror, shkruan “Panorama”.
Mazhoranca dhe opozita nuk mundën të bënin një reformë të vërtetë zgjedhore, duke përfshirë në ligjin elektoral dhe rekomandimet e OSBE-ODIHR-it.
Por pak ditë më parë, palët dhanë sinjalet se kanë gjetur dakordësinë për të adresuar dy vendimet e Gjykatës Kushtetuese në seancën e fundit të këtij sesioni parlamentar. Bëhet fjalë për votën e emigrantëve, si dhe çështjen e herësit, një formulë për llogaritjen e votave.
Sa i takon çështjes së votës së emigrantëve kanë dakordësuar që të votojnë jo vetëm shqiptarët e diasporës, por edhe ata që për arsye punësimi, studimesh apo që janë pjesë e misioneve diplomatike e ushtarake jashtë vendit mjafton të kenë një adresë të vlefshme dhe të mund të ushtrojnë të drejtën e votës.
Palët thonë se mund të jenë shumë afër realizimit të një marrëveshjeje. (Fatosi)