Pensionist ne pune (Foto Oranews)
Punësimi i pensionistëve në Shqipëri po vjen në rritje si një nevojë për të mbuluar hendekun e lënë bosh në tregun e punës nga të rinjtë, shkruan “Panorama”.
Sipas të dhënave nga Anketa e Forcave të Punës të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), gati 82 mijë persona mbi 64 vjeç ishin në punë në tetor-dhjetor 2023, nga 54.5 mijë që ishin në të njëjtën periudhë të vitit 2022.
Punësimi i moshave të vjetra po vjen në një kohë që papunësia te të rinjtë në të njëjtën periudhë është rritur. Shkalla e papunësisë për grupmoshën 15-24 vjeç në vitin 2023 ishte në 25.6%.
Ekspertët e tregut të punës pohojnë se të moshuarit në moshë pensioni mbulojnë nevoja të bizneseve që zakonisht nuk preferohen nga të rinjtë.
Mungesa e punonjësve tashmë ka prekur edhe sektorin shtetëror dhe funksionet e shërbimeve.
Në disa rajone të vendit si në jug dhe në veri shumë shkolla kanë mungesa me mësues të profileve në lëndët kryesore, ndërsa në spitale punojnë mjekë në pension që më parë kanë punuar në Tiranë. (Fatosi)