Tregu i pasurive të paluajtshme, kërkesat e NAREA-s
2024-07-22 09:35:59

Ndërtime në Tiranë (Foto Revista Monitor)

Ndërtime në Tiranë (Foto Revista Monitor)

Në shtator do të nisë puna për referencat e reja sa i përket rivlerësimit të pasurive, bëri të ditur kryeministri Edi Rama në një takim me kryetarët e bashkive.

Rama tha se qeveria do t’u japë edhe një shans të gjithë atyre që duan të rivlerësojnë pronat, por kësaj here me 5% të vlerës.  Kryeministri tha se nuk është proces që bëhet rregullisht, sepse në thelb kjo është një amnisti dhe ka një kosto për buxhetin e shtetit, pasi në momentin që bëhet rivlerësimi, atëherë shmanget tatimi 15% mbi shitjet në vijim.

“Ky nuk është proces që mund të bëhet rregullisht sepse në thelb kjo është një amnisti, por ka edhe një kosto të rëndësishme për buxhetin e shtetit, pasi në momentin që bëhet rivlerësimi shmanget tatimi 15 përqind mbi shitjet në vijim. Duke qenë se rivlerësimi është bërë bazuar në faktin që nuk ishin referencat e reja, sot me referencat e reja, mund t’ju japim absolutisht të drejtë qytetarëve që të kenë një shas të fundit për këtë dhe të konkludojmë punën e nisur, por referencat e reja në qytetet e tjera dhe jo vetëm në Tiranë. Sot minimalisht vija bregdetare nuk është me ato çmime reference që janë nga e shkuara.” – tha Rama.

Amnistia e tretë për rivlerësimin e pasurive u njoftua javë më parë nga përfaqësues të maxhorancës dhe kjo menjëherë solli disi stepje tek qytetarët për shitje të pronave derisa të finalizohej drafti. Një ngecje të tillë e konfirmuan edhe drejtues të NAREA-s (Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë)

“Mund të themi deri në momentin që u hodh propozimi për rivlerësimin, tregu ka qenë drejtë stabilizimit të çmimeve dhe këtë e kemi parë vitin e kaluar, e kemi thënë dhe e kemi parashikuar, ka ndodhur. Ndërkohë që sot tregu është i bllokuar, ato pak prona që shiten, do të shiten më shtrenjtë, pse? Sepse gjithësecili do të marrë përsipër të paguajë 15%  ndërkohë që pjesa tjetër është tërhequr. Oferta është tërhequr, në moment që nuk i përgjigjet kërkesës, oferta, presioni është i qartë që shkon drejt rritjes së çmimeve.” 

Kreu i NAREA-s Reinaldo Pipiria (Foto Linkedin)

Kreu i NAREA-s Reinaldo Pipiria (Foto Linkedin)

Drejtori Ekzekutiv i NAREA-s (National Albanian Real Estate Association), Reinaldo Pipiria thotë mos miratimi i këtij drafti do të kishte pasoja.

“Tatimi mbi fitimin kapital është me minus, kanë humbur të paktën 223% kur krahasojmë 2023 me 2022, dhe nëse kemi në llogarinë tonë edhe trendin rritës prej 10 apo 11, apo 15% të rritjes së tregut nga viti në vit, i bie që shteti është minus për përfitimin kapital 37 apo 38 %, kështu që askush nuk do të dëshironte që këto para mos të ishin aty. Efekti i parë i mosmiratimit të këtij propozimi është më pak para në arkën e shtetit, pavarësisht se në pamje totale duket më tepër, por ky zë dështon. Dështimi i këtij zëri ka efekte të tjera dhe në të njëjtën kohë mendojmë se mos miratimi i këtij propozimi do të ketë edhe efekte negative, fatkeqësisht mund të nxisë informalitetin, ose mund ta inkurajojë akoma më tepër informalitetin. Ne jemi shumë të qartë, kemi 3 vite që ia themi këtë gjë Ministrisë së Financave, 15% është një barrë e rëndë, nuk mund ta trajtosh qytetarin si një sipërmarrje.”

Norma më e ulët, sipas ekspertit vjen si nevojë edhe nisur nga tatimet në vendet e tjera.

“Ne themi që duhet të ketë një normë më të ulët. Shkoni në Itali, andej nga ne huazojmë ligjet e tatimit mbi të ardhurat personale dhe shikoni skemën, shkoni në Austri, andej nga ne huazojmë ligjin për Dhomën Ekonomike Kombëtare, shkoni në Gjermani, në Hungari dhe matanë oqeanit dhe shikoni sesi tatohen banesat e para sesi tatohet strehimi. Vetëm në Shqipëri strehimi tatohet 15% sikur ti je duke bërë biznes.”

Për Abc News, Pipiria flet për ecuri pozitive të tregut të pasurive të paluajtshme sa i takon kërkesave.

“Faktikisht ka qenë një performancë shumë e mire, sidomos në tremujorin e parë të 2024 deri në momentin që u hodh propozimi që do të kishte mundësinë për një fushatë të re rivlerësimi të pasurive të paluajtshme dhe që nga ai moment deri sot tregu ka shfaqur shenja të bllokimit. Kjo për shkak se kushdo që ishte bërë gati të tregtonte pasurinë e vet, është stepur, e ka tërhequr mbrapsht , deri në momentin që do të ketë një qartësi se sa do të paguajë në momentin e transaksionit  dhe është e kuptueshme. Sepse kur flitet nga 15% deri në 3% është 5 fish më pak dhe secili arrin t’i bëjë llogaritë dhe do të dëshirojë të kursejë.”

Tendencat e çmimeve kanë vijuar të jenë në rritje.

“Nëse i referohemi edhe të dhënave të INSTAT-it, kemi një trend rritës të tregut. Nuk ka pasur të njëjtin trend rritës si para një viti, por duhet të kuptojmë që është 3 mujori i parë dhe nuk mund të bëjmë parashikime për të gjithë vitin. Në të njëjtën kohë e kemi arritur konkluzionin që edhe këto çmime që shfaqen çmime të rritura, duhet të jemi të kujdesshëm  duke i zhveshur edhe nga efektet e kursit të këmbimit. Ne dimë që tashmë euro ka zbritur në nivelin e 100 lekëve, kështu që nëse i konvertojmë në monedhën kombëtare patjetër do kuptojmë që trendi dhe presioni rritës i çmimeve, nuk është ai reali që perceptohet në jetën e përditshme, për shkak se janë efektet e kursit.”

Investime në pasuri të paluajtshme(Foto Revista Monitor)

Investime në pasuri të paluajtshme(Foto Revista Monitor)

Edhe në këtë sektor ka dhënë efekt kursi i këmbimit.

“Ka pasur efekt, nëse ne themi që është rritur, po ka impakt perceptimi, të jep një perceptim të gabuar, që nga 1100 ka shkuar nga 1300 qenka rritur 200 euro, por në një moment kur e konverton në monedhën kombëtare, efekti nuk është i njëjtë, sepse gjithsecili do ta konvertojë dhe do t’i përdorë ato para në monedhën kombëtar, në lekë. Kursi i këmbimit ka rritur në një farë mënyrë perceptimin, ka dhënë një perceptim të gabuar që është rritur, por kur e konverton nuk janë këto efekte. Ashtu siç ne e kemi parë edhe nga raportet e Bankës së Shqipërisë vitin e kaluar, nëse shikojmë krahasimet nga viti në vit, e shikojmë që rritja nuk është dyshifrore. E kemi thënë këtë gjë dhe është konfirmuar edhe nga raportet e Bankës së Shqipërisë që rritja nuk ka qenë dyshifrore, pra nuk e ka kaluar 8%, madje sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, vrojtimi duhet të ketë qenë 3 pikë pak %, 3.2 apo 3.5%.”

Ndërkohë nga shtatori, Bashkitë dhe Kadastra do të nisin procesin e legalizimeve për mijëra dosje që janë në pritje të shqyrtimit. Rama tha se procesi për banesat duhet të përmbyllet deri në vitin 2026, dy vite para afatit maksimal të parashikuar nga ligji.