Nëse po kërkoni të gjeni paqe në një destinacion bregdetar, mos kërkoni më larg se Shqipëria – vendi më i nxehtë i pushimeve të këtij viti, shkruan Stuart Butler në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “TimeOut”. Vija bregdetare e Shqipërisë shtrihet në Mesdhe – ku do të gjeni qetësi në plazhe, edhe gjatë pikut të sezonit në gusht.
Disa nga plazhet e Shqipërisë janë po aq të zënë sa edhe plazhet e tjera të mëdha në Mesdhe – por duke ndjekur rrugën gjarpëruese nëpër ullishte, mund të gjendeni në një liman të veçuar – ku gjurmët e njerëzve janë të rralla.
Plazhet shqiptare, foto ilustruese - foto ATSH
Gjithsesi media rekomandon disa nga plazhet më magjepsëse shqiptare:
1. Ksamili
Vija bregdetare e fshatit të vogël të Ksamilit rrethohet nga një grumbull limanesh të ndërthurur, ishujsh në miniaturë, pyjesh dhe lagunash që shkëlqejnë në diellin e pasdites. Të gjitha këto janë para se të futeni në rrënojat e jashtëzakonshme romake të Butrintit.
E gjithë kjo do të thotë se Ksamili i ka të gjitha kushtet për të qenë një fshat perfekt plazhi mesdhetar, por ju kujtojmë se – nuk është më një sekret – dhe pritet të tërheqë gjithnjë e më shumë turistë ndërkombëtarë.
Plazhi i Ksamilit - foto ATSH
2. Himara
Qyteti bregdetar i Himarës shërben si një bazë për të eksploruar një pjesë intriguese të vijës bregdetare. Zona në veri ofron burimet më të pasura të rërës dhe kripës. Disa nga plazhet këtu, si Plazhi i Livadhit, janë me të vërtetë magjepsës dhe plot me shezllone dielli, por ndodhen edhe disa limane të vegjël, si plazhi i Akuariumit.
Plazhi i Himares - foto Bashkia Himare
3. Dhërmi
Dhërmiu është një rrip i gjatë bregdetar me rërë dhe guralecë, i cili përfundon në tokat shkëmbore me limane të vegjël. Jeni kohë për të eksploruar fshatin në majë të shkëmbit me të njëjtin emër. Në Dhërmi do të dalloni shtëpi të lyera me gëlqere, rrugë të ngushta dhe lule dekorative rozë “Bougainvillea” mbi mure.
Plazhi i Dhermiut - foto Classlifestyle
4. Gjipe
Plazhi i vogël me guralecë të bardhë i Gjipesë është gjithçka që shpresonit se mund të ishte vija bregdetare shqiptare. Arsyeja pse ka mbetur kaq i pacënuar? Ndoshta sepse nevojitet një ecje 45 minuta nga rruga më e afërt. Do të gjeni gjithashtu një kafene të lezetshme sezonale në plazh dhe një zonë kampingu.
Plazhi i Gjipese - foto albinfo
5. Borshi
Plazhi i Borshi është shtatë kilometra i gjatë, dhe në muajin më të populluar të gushtit mund të gjeni një cep të qetë. Dhe çfarë qoshesh janë këto? Guralecët e vegjël e të bardhë ngjyrë kremi do t’iu çojnë në ujërat e cekëta blu – ndërsa në brendësi të tokës shtrihen qindra pemë ulliri që bëjnë hije.
Për një izolim të plotë, drejtohuni në gjysmën jugore të plazhit, ku njerëzit nuk priren të shkojnë.
Plazhi i Borshit - foto visitsaranda
6. Gjiri i Dafinës
Gjiri i Dafinës ndodhet në pjesën jugore të gadishullit të Karaburunit. I mbrojtur si një rezervat natyror, gadishulli ka disa limane shumë të vogla – ndër të cilat Gjiri i Dafinës është padyshim më i miri. Për të arritur në ndonjë nga plazhet – përgatituni për një shëtitje të gjatë mbi kodrat e mbuluara me pyje pishe me erë të këndshme ose – alternativa më e mirë – bashkohuni në një udhëtim me kajak gjatë natës.
Gjiri i Dafines - foto kultplus
7. Ishulli i Sazanit
Me një histori të errët të Luftës së Ftohtë – gjatë së cilës u përdor si një bazë për nëndetëset dhe një fabrikë sekrete armësh kimike – ishulli i largët dhe i pabanuar i Sazanit është një parajsë në bregdetin shqiptar. Ishulli, i cili mund të vizitohet vetëm në turne të organizuara me varkë, ofron vende historike dhe disa plazhe absolutisht të pacënuara ku mund të bëni zhytje të mrekullueshme.
Ishulli i Sazant - foto ATSH
Kështu media britanike po josh turistët britanikë të vizitojnë vendin tonë duke renditur edhe shtatë plazhet më të mirë, sipas saj. Por rritja e çmimeve të njësive akomoduese në jug të vendit, ka bërë që pushuesit të kalojnë eksperienca të ndryshme.
Rrjetet sociale janë sot të mbushura me video të plazheve. Ka video që tregojnë se një familje me 4 vetë mund të kalojë një ditë të këndshme në bregdet me 126 euro, por nuk mungojnë edhe historitë ku një pjatë makarona kushton 18 euro.
Përtej faktit se shitësit e mallrave dhe shërbimeve turistike priren të përfitojnë nga turistët, duke e ditur se këta janë vizitorë me qëndrim të shkurtër dhe ndoshta nuk do të kthehen më, rritja e çmimeve në pjesën dërrmuese të saj duket se vjen nga fakti se turizmi ka rritur kërkesën për mallra dhe shërbime të caktuara përtej asaj që mund të ofrohet.
Përgatiti: N. Kraja