Klajdi Sahatci (Facebook)
Klajdi Sahatçi, violinisti me famë botërore është koncertmaestri i parë i Orkestrës Tonhalle në Zyrih, i cili luan solo, muzikë dhome dhe është gjithashtu edhe një profesor i njohur muzike në Zvicrën italiane. Artisti i apasionuar që në fëmijëri pas muzikës klasike ka një karrierë të pasur e të suksesshme në skenat ndërkombëtare të Europës dhe botës. Në një intervistë për Radio Ejani violisti rrëfen dashurinë e madhe për muzikën, e cila u shpreh përmes instrumentit të violinës.
CMG: Si lindi pasioni për muzikën dhe veçanërisht për instrumentin e violinës?
Klajdi Sahatçi: Ka qenë diçka interesante fillimi dhe zgjedhja për instrumentin, sepse kur kam qenë 6 vjeç e gjysmë në familje kisha hallën Antigoni Hoxha, që ishte muzikante dhe mësuese solfezhi, dhe kishte kënduar në korin e Teatrit të Operas dhe Baletit më përpara. Gjithashtu një kushërirë e babait tim, ishte mësuese pianoje. Ato u bënë shkak që në shtëpi të flitej për një mundësi muzike, dhe siç duket panë një talent tek unë, ku e dinte dhe babai im që ishte shumë dashamirës i muzikës në përgjithësi, të operas italiane dhe Bethovenit në veçanti. Kështu që kur shkova në shkollën “Dëshmorët e lirisë” në klasën e parë, duke bërë provimin për të hyrë dhe në muzikë, profesori i atëhershëm që ishte përgjegjësi i harqeve të kësaj shkolle, pasi mbaroi provimi më pa duart dhe tha se unë kisha duar jo shumë të mëdha dhe do ishte më mirë t’i bija violinës. Nuk ishte zgjedhja e violinës si instrument, por unë dashuroja muzikën në përgjithësi.
Klajdi Sahatci duke i rene violines (Facebook)
CMG: Kur ka qenë dalja e parë në skenë si violinist dhe emocionet që ke përjetuar në ato momente?
Klajdi Sahataçi: Dalja ime e parë ka qenë në moshë të vogël në pallatin e pionerëve dhe të them të drejtën kam qenë shumë i tmerruar nga publiku dhe dritat e skenës. Më kujtohet që e kisha studiuar mirë pjesën, por mbaj mend që gishtat vazhduan automatikisht dhe unë nuk dija fare se çfarë po bëja, sepse çdo gjë iku kaq shpejt dhe me emocion kam ikur nga skena, duke vrapuar. Pastaj më vonë ka patur gjëra të tjera siç kanë qenë koncertet me grupin e harqeve të liceut artistik ‘Jordan Misja”, me saxhot e ndryshme që bëheshin në lice, ku kanë qenë shumë koncerte të vyera sepse me saxhot që bënim ne paraqitej gjithë shkolla, dhe ishte vërtetë një përgjegjësi shumë e madhe për të gjithë ne.
CMG: Prej vitesh jeton jashtë vendit. Kur je larguar nga Shqipëia dhe si ka qenë integrimi në një vend të huaj?
Klajdi Sahatçi: Unë jam larguar nga Shqipëria në prillin e vitit 1992 dhe arsyeja e largimit ishte sepse kishte ndryshuar situata politike. Kështu që mendova se për instrumentin tim, për atë punë që kisha bërë në vite dhe për sakrificat që kishin bërë prindërit e mi dhe unë vetë, më dukej se do të kishte dashur një kohë tranzicioni për vendin tonë që të rimerrej. Unë kisha dëshirë që të vazhdoja punën e madhe që kisha bërë dhe të them të drejtën nuk e shihja këtë mundësi në atë situatë në Tiranë. Kështu që mora vendimin dhe u zhvendosa në Itali fillimisht, ku bëra konservatorin “Xhuzepe Verdi” dhe aty jam diplomuar në vitin 1994.
Klajdi Sahatci gjate nje koncerti (Foto personale)
CMG: Si vijoi më pas rrugëtimi juaj si instrumentist nëpër botë?
Klajdi Sahatçi: Në fakt fillimi nuk ka qenë aq i lehtë, sepse më është dashur një vit në Itali, ku fillimisht pesë muaj isha pa dokumenta. Kështu që u desh që të krijoja çdo gjë nga hiçi, duke mos pasur dhe para. Në atë periudhë ndryshoja vendbanim, shkoja në vendet që mund të gjeja mundësi. Pastaj ishte fat që një orkestër dhome në Milano më dha mundësinë të futesha atje me bursë studimi. Ajo ka qenë vërtetë shpëtimi im nga ana ekonomike, ku mund të bëja si konservatorin dhe shkollën. Ndërkohë që kur fitova konkurset si violinë e parë në orkestrën e Lionit në Francë, plus orkestra e Zvicrës italiane, duke kaluar pastaj deri tek orkestra e Teatrit della Scala të Milanos dhe në fund orkestra e Zyrihut. Këto më dhanë mundësi, duke qenë spalë e orkestrës dhe koncert mjeshtër të kisha edhe mundësi të luaja nëpër salla të ndryshme prestigjoze si solist dhe me orkestra me cilësi.
CMG: Mban mend ndonjë moment mbresëlënës gjatë shfaqjeve të ndryshme koncertore?
Klajdi Sahatçi: Kam qenë shumë i impresionuar në një koncert me orkestrën e Zyrihut ku unë jam pjestar. Kemi qenë në Tokio të Japonisë, koncerti i Bethovenit për violinë dhe më kujtohet që në një moment vështrimi im shkoi në sallë në një moment shumë prekës të koncertit, në kohën e dytë të koncertit, që është një nga perlat e muzikës klasike. Unë po shihja një vajzë të re që po qante. Aty jam emocionuar jashtëzakonisht dhe thashë se kjo është bukuria e këtij profesioni. Ky është privilegji që ne kemi si artistë në profesionin tonë, sepse ne shohim emocionin direkt të njerëzve, ndjenjat më të fshehura të njeriut.
CMG: Në cilat shtete ke dhënë koncerte dhe si je pritur nga publiku i huaj?
Klajdi Sahatçi: Unë kam qenë në të gjitha kontinentet, në Europë kam qenë si solist dhe muzikë dhome gati në gjithë vendet. Në Gjermani shkojmë më shpesh sepse duke qenë orkestër zviceriane kemi shumë kontakt me këtë shtet. Gjithashtu në Itali jam jashtëzakonisht i pranishëm si solist, por kam dhe një trio fikse me një pianiste koreane dhe shkojmë shpesh në Korenë e Jugut.
Lamberti, nxenes qe meson gjuhen kineze (Foto personale)
CMG: Ke qenë në Kinë për koncerte?
Klajdi Sahatçi: Në Kinë kam qenë 4-5 herë për koncerte në Pekin, Shangai dhe Guangzhou. Kinezët janë njerëz që ju pëlqen muzika.
CMG: Flasim për eksperiencën tuaj si profesor i violinës në universitet, a e duan të rinjtë sot muzikën klasike?
Klajdi Sahatçi: Unë që prej vitit 2012 jam profesor në Konservatorin Superior të Luganos në Zvicrën italiane. Në radhë të parë është pasion për mua dhe më stimulon shumë si punë. Në përgjithësi janë studentë italianë, por kam patur dhe studentë polakë, kinezë, japonezë, spanjollë dhe nga vende të tjera. Të rinjtë që futen në këtë shkollë bëjnë një konkurs, ku marrin pjesë të gjithë profesorët që bëjnë një klasifikim me studentët që luajnë më mirë. Nuk diskutohet që ato që luajnë janë të gjithë të përkushtuar muzikës, sepse ndryshe nuk mund të futen dot në atë shkollë. Në përgjithësi studentët që futen për muzikë janë shumë seriozë dhe shumë të motivuar. Megjithatë është dhe detyra ime që të vazhdoj ta ushqej këtë pasion të tyre, për të vazhduar këtë rrugë të bukur sepse mendoj që është një rrugë më e vështirë sesa rrugët e tjera të muzikës pop, ngaqë kërkon më tepër përkushtim. Detyra ime gjithmonë ka qenë që tja rris këtë interes për muzikën e ashtëquajtur klasike.
CMG: Vjen shpesh për koncerte në Shqipëri?
Klajdi Sahatçi: Herën e fundit kam ardhur në vitin 2018 i ftuar nga orkestra e RTSH-së, ka qenë një moment shumë interesant për mua me një dirigjent gjerman. Kam luajtur koncertin e Menderson, ku publiku e priti mirë. Më vonë erdhi pandemia dhe nuk kam patur mundësi të vij. Kam pasur një ftesë nga TOB-i para një viti e gjysmë, por për fat të keq axhenda ime e ngjeshur nuk bëri dot të mundur këtë projekt. Shpresoj të vij sa më shpejt në të ardhmen.
Violinisti Klajdi Sahatci (Facebook)
CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore në vazhdim?
Klajdi Sahatçi: Përveç punës si profesor në fakultet do të kem turne me orkestrën e Zyrihut në Paris, Munih, Berlin, Dortmund dhe në ndonjë qytet tjetër të Europës. Pastaj do të nxjerr dy CD që i kam realizuar vitin e kaluar nga kompania Naksus, të cilat i kushtohen dy kompozitorëve jo shumë të njohur, sepse ndër vite kam dashur të luaj dhe vepra të kompozitorëve që janë pak të harruar, apo që nuk janë aq të vlerësuar sa kompozitorët e mëdhenj botërorë.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Klajdi Sahatçi: Përshëndes të gjithë miqtë e mi në Shqipëri, si dhe gjithë kolegët e mi që janë në Universitin e Arteve, në RTSH, TOB dhe kudo që të jenë. Gjithashtu përshëndes gjithë dëgjuesit e Radio Ejani me dashamirësi.
Intervistoi: Gazmend Agaj