CMG-ja: Plani i ri i reformës i Kinës do të sjellë përfitime të reja për botën
2024-07-22 14:41:23

“Një nga fokuset e kësaj mbledhjeje është zgjerimi i hapjes së nivelit të lartë të Kinës dhe promovimi i zhvillimit global," thuhet në një artikull të publikuar të dielën në gazetën finlandeze "Helsinki Times". Po më 21 korrik u publikua teksti i plotë i Rezolutës së Komitetit Qendror të PKK-së për Thellimin e Mëtejshëm të Reformës në Mënyrë të Gjithanshme për të Çuar Përpara Modernizimin Kinez, të shqyrtuar dhe të miratuar në plenumin e tretë të Komitetit Qendror të PKK-së, ku theksohet këmbëngulja në politikën bazë të hapjes ndaj botës së jashtme dhe nxitjen e reformës nëpërmjet hapjes, për të ndërtuar një sistem të ri ekonomik me hapje të nivelit më të lartë. Analistët kanë vënë në dukje që kjo dërgon një sinjal të qartë se Kina do të zgjerojë hapjen ndaj botës së jashtme dhe plani i ri i reformës së Kinës do të sjellë më shumë përfitime për botën, thuhet në një koment të Grupit Mediatik të Kinës (CMG).

Foto:VCG

Foto:VCG

Hapja është një karakteristikë e dalluar e modernizimit kinez. Nga krijimi i 22 zonave pilot të tregtisë së lirë, ndërtimi i Portit të Tregtisë së Lirë të Hainan-it, nënshkrimi e hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Partneritetit Gjithëpërfshirës Ekonomik Rajonal, shkurtimi i listës negative për futjen e investimeve të huaja në tregun kinez, lehtësimi i hyrjes së investimeve të huaja në sektorët e shërbimit, si telekomunikacioni e mjekësia, deri në nxitjen e ndërtimit të përbashkët me cilësi të lartë të "Një brez, një rrugë" dhe krijimin e platformave ndërkombëtare, si Ekspozita Ndërkombëtare e Importit, Panairi i Tregtisë së Shërbimeve, Ekspozita Ndërkombëtare e Produkteve të Konsumit etj., në dekadën e fundit Kina është bërë gjithnjë e më e hapur.

Kina është vendi më i madh i tregtisë së mallrave në botë për shtatë vjet radhazi. Investimet kineze jashtë vendit janë renditur ndër tre vendet e para në botë për 11 vjet me radhë, duke mbuluar 155 vende e rajone. Integrimi i Kinës me botën e jashtme është thelluar në një nivel si kurrë më parë, theksohet në komentin e CMG-së.

Aktualisht, bota po përjeton ndryshime të papara në një shekull dhe po shtohen zërat e unilateralizmit dhe proteksionizmit. Para një gjendjeje të tillë, Kina këmbëngul në promovimin e hapjes së nivelit të lartë dhe ka shfaqur vendosmërinë dhe përgjegjësinë e saj për të ndarë mundësitë me botën.

Ajo që Kina ndan me botën është, së pari, tregu i vet gjigant. Në rezolutë propozohet ngritja e aftësisë së hapjes nëpërmjet bashkëpunimit ndërkombëtar në bazë të epërsive të tregut të madh. Kjo i bën shumë kompanitë shumëkombëshe plot shpresa.

Së dyti, hapja e Kinës po përparon në mënyrë të qëndrueshme nga një hapje e bazuar mbi qarkullimin e mallrave e të faktorëve të prodhimit në një hapje që mbështetet mbi rregullat, menaxhimin, standardet e institucionet etj. Në rezolutë bëhet thirrje për zgjerim të vazhdueshëm të hapjes institucionale, përafrim me rregullat ndërkombëtare ekonomiko-tregtare me standarde të larta, thellimin e reformës së sistemit të tregtisë së jashtme, të investimeve të huaja dhe të menaxhimit të investimeve jashtë vendit etj. Opinioni ndërkombëtar përgjithësisht beson se kjo do të thotë që kostot institucionale do të ulen më tej, tregtia dhe investimet ndërkombëtare do të lehtësohen e liberalizohen dhe Kina do të integrohet më aktivisht në ekonominë ndërkombëtare, duke e bërë tregun e madh kinez një mundësi të madhe për botën.

Foto:VCG

Foto:VCG

Ndër to, masat e rëndësishme të përmendura në rezolutë për zgjerimin e përdorimit të investimeve të huaja kanë tërhequr veçanërisht vëmendjen e investitorëve të huaj. Nga shkurtimi i listës negative për hyrjen e investimeve të huaja dhe zbatimi i heqjes gjithëpërfshirëse të kufizimeve për hyrjen e investimeve të huaja në sektorin e prodhimit, deri te zgjerimi i katalogut të industrive ku inkurajohen investimet e huaja dhe përmirësimi i sistemit për të lehtësuar hyrje-daljen e të huajve në Kinë, janë shtuar fushat ku mund të marrin pjesë investimet e huaja dhe janë krijuar lehtësi për udhëtimin, jetesën, mjekimin dhe pagesën e shtetasve të huaj në Kinë. Gjithashtu, trajtimi i barabartë i sipërmarrjeve me investime të huaja në sigurimin e faktorëve, licensim, vendosjen e standardeve, prokurimet qeveritare etj., do t'u garantojë atyre një mjedis konkurrence më të ndershme dhe më të hapur. Në gjysmën e parë të këtij viti, në Kinë janë krijuar 26 870 ndërmarrje të reja me investime të huaja, me një rritje prej 14.2 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kurse vëllimi i tërheqjes së investimeve të huaja arriti në gati 500 miliardë juanë (68.75 miliardë dollarë amerikanë), niveli më i lartë në dhjetë vjetët e fundit. Kjo tregon njohjen ndërkombëtare për mjedisin e biznesit në Kinë dhe përbën një "votë besimi" në përparimin e palëkundur të reformës e hapjes së Kinës.

Për sa i përket hapjes, Kina jo vetëm synon thithjen e investimeve të huaja, por edhe shtimin e investimeve të saj jashtë vendit. Nisma "Një brez, një rrugë" e propozuar nga Kina ka sjellë ndryshime të jashtëzakonshme në botë. Gjatë dhjetë vjetëve të fundit, kjo nismë ka tërhequr më shumë se tre të katërtat e vendeve të botës dhe mbi 30 organizata ndërkombëtare, duke nxitur afro 1 trilion dollarë amerikanë investime. Sipas rezolutës, Kina do të përmirësojë mekanizmat për promovimin e ndërtimit të përbashkët cilësor të "Një brez, një rrugë" dhe nxitjen e projekteve të mëdha e të atyre për shtimin e mirëqenies së banorëve të vendeve e rajoneve të përfshira, çka pa dyshim do t'i japë vrull të ri zhvillimit botëror dhe do të sjellë më shumë përfitime për popujt e të gjitha vendeve.

Foto:VCG

Foto:VCG

Në rezolutë theksohet gjithashtu se modernizimi kinez është modernizim që ndjek rrugën e zhvillimit paqësor. "Nga promovimi i ndërtimit të një komuniteti me fate të përbashkëta të njerëzimit te propozimi i nismave të zhvillimit, sigurisë dhe qytetërimit global, Kina ka vërtetuar me veprime konkrete se ajo nuk synon modernizimin e izoluar, por modernizimin botëror me zhvillim paqësor, bashkëpunim me leverdi të ndërsjellë dhe lulëzim të përbashkët," përfundon komenti i CMG-së. (Zhang Yan/Artan)