Reformat dhe hapja në Kinë kanë startuar në vitet 70-të të shekullit të kaluar. Ecuria e tyre është reflektuar në përqasje me zhvillimin tërësor të vendit, por dhe në shkëmbimet e vendit me botën. Hapja dhe reforma nga lidershipi në Kinë ka qenë si pikë kyçe të ecurisë së hapave të ekonomisë së tyre me hapat e ekonomisë botërore dhe nga ana tjetër me zinxhirët globalë të furnizimit.
Marsela Musabelliu në intervistë për CMG
Politikëbërësit kinezë këtë javë kanë propozuar më shumë se 300 masa të rëndësishme reforme nga aspektet institucionale, sistemore e të mekanizmave, që përfshijnë jo vetëm përmirësimin e masave të kaluara të reformës, por edhe masa të reja të bazuara në nevojat praktike dhe projektet pilot.
CMG: Reformat e Kinës që nga viti 1978 janë botërisht të njohura. Cilat janë përfitimet kryesore dhe sfidat që kanë dalë gjatë këtij procesi? Si kanë ndihmuar reformat e mëparshme në Kinë në përmirësimin e standardit të jetesës dhe rritjen ekonomike?
Dr. Marsela Musabelliu: Që nga viti 1978, specifikisht edhe pse ishte folur më parë, aplikimi i reformave dhe hapjes së Kinës nga lideri i kohës Deng Xiaoping, jo vetëm filloi me zona të posaçme, zona ekonomike dhe më pas u bë si një terren testimi. Këto reforma nuk u kryen “nga mëngjesi në darkë”, por u realizuan ndër vite dhe në zona të ndryshme. Ka ekzistuar shprehja “Të kalojmë lumin, duke prekur gurët”
CMG: “Me këmbë në tokë” ?
Dr. Marsela Musabelliu: Siç i themi ne “Me këmbë në tokë”, por ngadalë sepse nuk ka në Kinë reforma “nga sot, nesër”, apo duke shkatërruar atë që ka ekzistuar, për ta rindërtuar. Koncepti i reformave të Kinës edhe në lidershipet e mëvonshme ka qenë fakti “të mësojmë nga e kaluara dhe të përmirësojmë të tashmen dhe të ardhmen”, sipas parimit që duhen mbajtur gjërat që kanë funksionuar dhe do të lihen mënjanë ato që nuk kanë funksionuar.
Modernizimi kinez (Foto CMG)
Duhet patur parasysh që çdo periudhë kohore ka patur sfidat e veta dhe specifikat e veta. Për shembull vitet 80-të kanë qenë në turbolencën e madhe gjeopolitike, ndërsa në vitet 90-të, sidomos viti 1997 ka qenë koha e krizës ekonomike në Azi, ndërsa në vitet 2000 vjen kriza ekonomike botërore. Hapja dhe reforma nga lidershipi në Kinë ka qenë si pikë kyçe të ecurisë së hapave të ekonomisë së tyre me hapat e ekonomisë botërore dhe nga ana tjetër me zinxhirët globalë të furnizimit.
Duke patur parasysh planet 5 vjeçare në Kinë bëhet një retrospektivë dhe shikohet çfarë ka funksionuar, cila reformë ka dhënë rezultatet më të mira. Ndërkohë reformat pothuajse në të gjithë pjesën tjetër të botës nënkuptojnë ndryshimin total. Reformat në Kinë kanë një veçori, se përveç shprehjes “Të kalojmë lumin, duke prekur gurët”, kur shihet se “nuk ka gurë lumi”, atëhere rishikohet situata. Kjo do të thotë se nëse një reformë ka funksionuar 2 vjet nuk do të thotë se do të funksionojë dhe 20 vjet të tjera. Për të avancuar një reformë shihen kushtet e brendshme, por dhe ato të jashtme sepse Kina nuk punon e vetme në komunitetin global
CMG: Duke marrë parasysh që hapja ekonomike dhe tregtare është një komponent kyç i strategjisë së reformave, cilat janë politikat dhe strategjitë konkrete që Kina planifikon të zbatojë për të siguruar zhvillimin me cilësi të lartë?
Dr.Marsela Musabelliu: Sa i përket reformave të 3 dekadave të para ka patur një rritje shpesh herë dhe dyshifrore të ekonomisë së Kinës. Në një vend me prodhimtari të lartë, që dikur quhej “fabrika e botës” sepse kishte një prodhimtari të lartë dhe me kosto të ulët në spektrin afatgjatë ka nevojë për modifikime, investime, inovacion dhe cilësi të lartë. Ajo që kemi parë në vitin 2024 nga studiuesit kinezë cilësohet se po kalohet nga sllogani “Prodhuar në Kinë” në “Shpikur dhe Krijuar në Kinë”. Tani po kërkohet një hap më tepër në drejtim të teknologjisë së lartë, inteligjencën artificiale dhe çdo gjë që ka të bëjë me avancimin teknologjik të vendit, i cili do t’i bashkangjitet prodhimtarisë.
CMG: Më 17 korrik u miratua një rezolutë për thellimin e reformave dhe përshpejtimin e modernizimit të vendit. Çfarë masash specifike përfshihen në këtë rezolutë dhe si do të ndikojnë këto masa në tregjet globale dhe marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare?
Revolucioni teknologjik në Kinë (Foto CMG)
Dr. Marsela Musabelliu: Fjala më e shpeshtë që u përdor në komunikatën pas mbledhjes ishte thellimi i reformave dhe hapja e mëtejshme e vendit. U cilësua se fjala reformim dhe hapje nuk ka kohë të shkuar. Plenumi i Komiteti Qendror të 20-të të PKK-së që u zhvillua nga 15-18 korrik në Pekin është një mbledhje e rëndësishme në mes të mandatit nga viti 2022 kur u zhvillua kongresi i fundit deri në kongresin tjetër kur do të bëhet rishikimi, një mbledhje menaxheriale sa i përket objektivave të Kinës deri në vitin 2029 dhe 2035. Janë vënë disa afate për ekonominë socialiste të tregut që duhet të realizohet deri në vitin 2035 dhe thellimi i reformave me një afat përfundimtar për arritjen e prosperitetit të vendit deri në vitin 2029. Tashmë janë caktuar data specifike dhe në javët në vijim do të shohim nga autoritetet e Pekinit se çfarë do të ndodhë me këto reforma të mëtejshme dhe hapjen. Në qendër janë gjithëpërfshirja, rritja e mirëqenies së njerëzve duke ulur pabarazinë urbane dhe rurale. Nënvizoj zhvillimin e Panairit të Shangait që pret të gjitha firmat ndërkombëtare që janë të gatshme të hyjnë në tregun kinez, një tjetër risi është ajo e hyrjes pa viza në Kinë për një periudhë 144 orësh për turistët e huaj. Reforma dhe hapja janë në kohë progresive dhe do të vazhdojnë. Në vitin 2029 dhe 2035 do të bëhet një retrospective dhe do të shikohet ku është arritur me reformat.
CMG: Në këtë ngjarje politike u nënvizua rëndësia e inovacionit në drejtimin e prosperitetit të ardhshëm të Kinës. Cilat janë strategjitë e diskutuara?
Zhvillimi ekonomik i Kinës (Foto CMG)
Dr. Marsela Musabelliu: Në radhë të parë është fakti se duhet të rritet vetëmjaftueshmëria, duke patur parasysh produktet e Kinës në ambjentin e jashtëm që përballen dhe me tarifa. Këtu bëhet fjalë për vetëmjaftueshmërinë e tregut dhe të kompanive kineze. Gjjithashtu investimet në teknologji shihen me rëndësi sepse avancimi sa më i shpejtë teknologjik në Kinë pritet të tërheqë zinxhirin e ekonomisë vendase. Ndonëse është investuar prej vitesh tani po mendohet që të investohet më shumë sa i përket inovacionit.
Intervistoi Eda Merepeza