Rruga e re turistike Shëngjin-Velipojë (Foto Shqiptarja.com)
Përmirësimi i infrastrukturës rrugore ekzistuese si dhe ndërtimi i rrugëve të reja, që lidhin më shpejt qytetet me zonat turistike bregdetare, janë prioritete të punës së qeverisë shqiptare, shkruan ATSH.
Një prej tyre është edhe rruga e re turistike Shëngjin-Velipojë, në veriperëndim të vendit. Kryeministri Edi Rama ndau të dielën foto nga punimet që po kryhen për ndërtimin e kësaj rruge të re turistike. Ai shkruan se ajo i shton Shqipërisë një tjetër aks panoramik mbresëlënës, duke siguruar një lidhje të re e të shpejtë mes dy plazheve të mëdha të veriut.
Strategjia e Turizmit 2030 e qeverisë shqiptare ka ndër të tjera në fokus ndërlidhjen më të shpejtë të qyteteve me zonat turistike nga veriu në jug.
Ura e re mbi lumin Buna, autostrada Thumanë-Kashar pjesë e Korridorit Blu, Ura e madhe e Kukësit, tuneli i LLogorasë, rruga Elbasan-Qafë Thanë pjesë e Korridorit 8, Rruga e Arbrit, janë disa nga veprat e mëdha infrastrukturore në funksion të zhvillimit të turizmit dhe ekonomisë së vendit.(Fatosi)