Veliaj : Numri i vizitorëve të huaj në Tiranë dyfishon popullsinë saj
2024-07-22 17:10:20

Numri i vizitorëve të huaj në Tiranë ka bërë që të dyfishohet popullsia e saj, tha kreu i Bashkisë së  Tiranës Erion Veliaj, gjatë ceremonis së betimit të katër shtetasve të huaj të cilët morën shtetësinë shqiptare, njofton ATSH. 

Shqipëria turistike (Foto RTSH)

Shqipëria turistike (Foto RTSH)

Sipas tij kryeqyteti shqiptar, është kthyer nga një vend i izoluar, në vendin më të hapur dhe më kurioz për t’u vizituar nga turistët e huaj.

“Ne kemi mesatarisht rreth 1 milion turistë në muaj. Do të thotë se kemi dyfishin e popullsisë sonë çdo muaj në Tiranë, në formën e turistëve" tha  Veliaj.

Kreu i bashkisë së Tiranës theksoi se teknologjia e informacionit dhe punët digjitale janë fokusi ku duhet orientuar vëmendja e të rinjve sot. Sipas tij, punët e së ardhmes janë ato që paguhen më mirë dhe sigurojnë të njëjtin standard jetese në kryeqytetin shqiptar, ashtu si në vendet e tjera të Europës.

“Fokusi ynë ka qenë për ta orientuar Tiranën drejt këtyre punëve”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë së  Tiranës Erion Veliaj vlerësoi faktin që vitin tjetër, Tirana do jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës. Ai tha se kjo është një mundësi e shkëlqyer në shkëmbimin e përvojave artistike e kulturore mes trupave pjesëmarrëse.(Fatosi)