Perfaqesuesi i PD-se Oerd Bylykbashi (Foto Rtsh)
Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, deklaroi pas mbledhjes së Grupit të Dialogut mbi Reformën Zgjedhore se vota e diasporës duhet të mundësohet nga një postë ndërkombëtare që të jetë e shpejtë dhe e besueshme.
Gjatë një prononcimi për mediet, Bylykbashi theksoi se fletët e votimit duhet të vijnë në mënyrë të sigurt dhe të numërohen ashtu siç janë, shkruan “RTSH”.
“Adresa nuk është kriter regjistrimi, adresa është një instrument që mundësohet e drejta e votës. Ne i qëndrojmë idesë që duhet të jetë një postë ndërkombëtare e shpejtë e besueshme e cila garanton që në kohë të shkurtër ato fletë votimi vijnë në mënyrë të sigurt në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe të numërohen ashtu siç janë”,- u shpreh Bylykbashi.
Deputeti i PD-së shpjegoi gjithashtu se do të shfrytëzohen të gjitha mundësitë dhe hapësirat për ta përmbyllur si proces brenda datës 25 korrik.
“Do të shohim cilat janë hapësirat. Gjatë diskutimit u shfrytëzuan të gjitha procedurat parlamentare për ta përmbyllur brenda datës 25 korrik. Por jemi ende herët dhe ende nuk ka dakordësi për çështjen e herësit. Detyrimi është për të arritur në rezultat, por është për të ardhur keq që Partia Socialiste bllokoi Reformën Zgjedhore. Këto nuk mund të konsiderohen reforma zgjedhore, sado mund të jenë të rëndësishme është trajtim i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, detyrim që e ka Parlamenti. Kurse Reforma Zgjedhore për sa i përket rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it lidhur me shitblerjen e votës, presionet etj., këto nuk trajtohen”,- theksoi Bylykbashi. (Irma)