Ushtare izraelite (Foto Rtsh)
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë bëri të ditur se pushtimi i territoreve palestineze nga Izraeli shkel ligjin ndërkombëtar.
Mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), edhe pse jo ligjërisht i detyrueshëm, do të rrisë presionin politik ndërkombëtar mbi Izraelin, shkruan “ATSH”.
Vendimi erdhi nga 15 gjyqtarët kryesorë të OKB-së në Hagë, ku ndodhet gjykata. Një rekord prej 52 shtetesh paraqitën argumente në gjykatë.
Foto nga VCG
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë bëri të ditur se Izraeli duhet të ndalojë aktivitetin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar, Jeruzalemin Lindor dhe Gazën dhe t’i japë fund okupimit të paligjshëm të këtyre zonave sa më shpejt të jetë e mundur.
Kjo shënon herën e parë që gjykata jep një qëndrim mbi këtë çështje.
Në vitin 2022, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara i kërkoi Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të përcaktojë pasojat ligjore të pushtimit të territoreve nga Izraeli, shumë kohë përpara fillimit të luftës Izrael-Hamas që shpërtheu tetorin e kaluar.
Izraeli mori nën kontroll Bregun Perëndimor, Rripin e Gazës dhe Jeruzalemin Lindor në vitin 1967.
Foto nga VCG
Izraeli u largua nga Gaza në vitin 2005, por vazhdon të kontrollojë kufijtë tokësorë dhe detarë të territorit bregdetar, si dhe hapësirën e tij ajrore.
Ndërkohë, numri i kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor, i cili shtrihet midis zemrës së Izraelit dhe Jordanisë, është rritur në rreth gjysmë milioni. Duke përfshirë Jeruzalemin Lindor, shifra arrin në 700.000. (Irma)