Kryeministri Edi Rama (Foto Atsh)
Kryeministri Edi Rama njoftoi krijimin e Fondit Kombëtar të Aftësimit, i cili do të mbështesë gjithë skemën e arsimit profesional dual.
Kryeministri theksoi se ky proces nuk do të lihet thjesht në vullnetin e sipërmarrjeve, por do të zhvillohet mbi një bazë sistemi kuotash dhe kontributesh që do të financojnë zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe gjithë skemën e arsimit profesional dual, shkruan “ATSH”.
Kryeministri theksoi se të gjitha bizneset e mëdha të Shqipërisë duhet ta dinë që 1% e shpenzimeve të tyre totale do të shkojë në këtë drejtim.
“Tani, ende jemi duke diskutuar opsionet dhe natyrisht këtu është shumë e rëndësishme që të vazhdojë diskutimi që është hapur me kompanitë, por opsioni më i mundur është që ky 1% do të duhet të investohet për trajnimin në vazhdim të personelit dhe për pjesëmarrjen në këtë skemë të arsimimit dual”,- deklaroi kreu i qeverisë shqiptare.
Ai theksoi se shpenzimet e bëra në kuadër të pagesës së nxënësve që do të marrin pjesë në arsimin dual do të konsiderohen shpenzime të zbritshme nga taksat.
“Kush nuk do të futet në këtë proces do të duhet ta derdhë këtë si kontribut plus taksës, pra 15% taksë. Mbi këtë 15% do të jetë një kontribut ekstra që, sipas madhësisë së kompanive, sipas madhësisë së xhiros etj, që do të shkojë nga 0.5 deri 1% të shpenzimeve totale vjetore dhe që do të derdhet në Fondin Kombëtar të Aftësive”, shtoi ai.
Kryeministri theksoi se fondi do të jetë publik, por do të menaxhohet bashkë me përfaqësuesit e sipërmarrjes dhe do të shpenzohet vetëm për këtë punë. (Irma)