Balluku (Foto Cna.al)
Drejtoria Rajonale e Shërbimeve të Transportit Rrugor Mat ka nisur nga puna duke ofruar shërbim për të gjithë qytetarët e Burrelit dhe Klosit. Kjo është një drejtori e mirëfilltë, e cila ofron të gjitha shërbimet e nevojshme për drejtuesit e automjeteve.
Afro 15 mijë drejtues mjetesh dhe rreth 7 mijë automjete do të marrin shërbim në këtë drejtori, pa qenë e nevojshme të udhëtojnë më drejt Dibrës, duke kursyer kështu kohë, si dhe ulur kostot, shkruan “ATSH”.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, vizitoi nga afër ambientet e DRSHTRR-së, ku tha se janë krijuar të gjitha kushtet që punonjësit, por edhe qytetarët që marrin shërbim, të ndihen komodë.
Në këtë strukturë, qytetarët mund të kryejnë të gjitha shërbimet, që nga regjistrimi i mjetit, kontrolli fizik, kontrolli teknik, pagesën e taksave dhe çdo veprim tjetër që ata kanë me dosjen e mjetit apo çdo veprim tjetër të cilin më herët e kryenin në Peshkopi.
Zëvendëskryeministrja Balluku theksoi se pavarësisht se janë të ndara në mënyrë rajonale dhe me qarqe, për shkak të distancës mes Peshkopisë dhe Burrelit, si dhe për shkak të numrit të automjeteve, u vendos hapja e një drejtorie në Mat në mënyrë që qytetarët të mund të aksesojnë shërbimet më pranë vendbanimit të tyre. (Irma)