18 vjeçari Valdrin Mustafa dhe rruga e artit
2024-07-21 10:09:20

Valdrin Mustafa (  Foto personale)

Valdrin Mustafa (  Foto personale)

Valdrin Mustafa është një artist i ri i talentuar nga Tirana. Ai sot është 18 vjeç, por muzikën e ka nisur që në moshë të vogël, kur e ëma  violiniste, e zbuloi talentin e tij dhe e regjistroi në shkollë për violinë. Pas disa vitesh Valdrini ndërpreu muzikën për një tjetër pasion, futbollin. Por dashuria e muzikës ishte aq e madhe, sa ai nisi studimet në Liceun Artistik “Jordan Misja”, për të vijuar këtë rrugëtim muzikor, që me siguri do ta shoqërojë gjatë jetës së tij. Valdrini sapo ka përfunduar Liceun në degën e Kantos, ndërsa pret që të vijojë studimet e larta në Universitetin e Arteve, por edhe aktrimi është një nga preferencat e tij. Prej dy vitesh ai është pjesë e jetës së natës me grupin  e tij muzikor. Tashmë ai ka një repertor të zgjeruar muzikor dhe interpreton shpesh jo vetëm në kryeqytet, por edhe në qytete të ndryshme të vendit.

Valdrini ka realizuar disa videoklipe me covera të këngëve të njohura të artistëve shqiptarë dhe atyre të huaj. Ai ka marrë pjesë në disa konkurse muzikore të mbajtura në vend dhe në muajin shtator pret që të marrë pjesë në një spektakël muzikor të njohur në Shqipëri. Në intervistë për Radio Ejani, Valdrii tregon për dashurinë e tij të madhe për artin, si dhe rrugëtimin drejt muzikës dhe planet për të ardhmen.

Valdrin Mustafa në intervistë për Radio Ejani

Valdrin Mustafa në intervistë për Radio Ejani

CMG: Të kam ndjekur që interpreton muzikë live me grupin tënd muzikor. Prej sa kohësh je pjesë e këtij grupi ?

Valdrin Mustafa: Kam rreth dy vite që e kam krijuar unë këtë grup muzikor. Unë isha edhe kitarist i grupit, më pas morën basistin, bateristin dhe një vajzë këngëtare me të cilën performoj. Mundohemi që të perfeksionohemi sa më shumë pasi prej dy vitesh interpretojmë muzikë live.

CMG: Cilat rryma muzikor luani më tepër?

Valdrin Mustafa: Unë preferoj muzikën rrok, por luajmë edhe zhanre të tjera si xhaz, bluz, etj.

Valdrin Mustafa gjatë netëve live (Foto personale)

Valdrin Mustafa gjatë netëve live (Foto personale)

CMG:  Përveç grupit, je angazhuar edhe me disa spektakle, ku interpreton back vokalistin, vokalin mbështetës të këngëtarëve. Sa e  vështirë ka qenë për ty?

Valdrin Mustafa: Është diçka e vështirë dhe shumë e bukur njëkohësisht. Kam rreth një vit që merrem me koncerte të mëdha dhe për këtë më ka ndihmuar Kozeta Kurti. Kam qenë si vokal mbështetës në Festivalin e  RTSh-së, në koncertin recital të këngëtarit Alban Skënderaj, një koncert shumë i madh, por edhe një emocion mjaft i madh për mua si artist i ri. E  kam shijuar jashtëzakonisht shumë.

CMG: Në familje je rritur me muzikë, por si të shohin familjarët me syrin kritik?

Valdrin Mustafa: Mamaja ime më sheh si një artist i madh, që kur isha i vogël, por më ka ndihmuar që të eci përpara. Ajo  ka qenë një forcë e madhe e imja.

CMG: Cila është një ndër këngët që të ka mbetur në mendje?

Valdrin Mustafa: Një nga këngët e Alban Skënderaj “Refuzoj” e kam të preferuar dhe e këndoj shpesh edhe në shtëpi.

CMG: Po artisti i preferuar, cili është?

Valdrin Mustafa: Artisti im i preferuar mbetet Eugent Bushpepa. Është një nismë e imja e rrokut dhe e kam perfeksionuar vokalin tim, duke e dëgjuar këtë artist .

Valdrin Mustafa duke interpretuar live (Foto personale)

Valdrin Mustafa duke interpretuar live (Foto personale)

CMG: Do të të pëlqente një bashkëpunim me të në të ardhmen?

Valdrin Mustafa: Do të ishte ëndrra ime më e madhe, sepse e kam idhull.

CMG: Je angazhuar edhe në disa talent show, na trego për këto pjesëmarrje

Valdrin Mustafa: Kanë qenë në disa pjesëmarrje, por skena e madhe ku kam dalë ka qenë në Tv Klan në rubrikën “Mam po ti”, drejtuar nga Ardit Gjebrea, ku arrita deri në fazën çerek finale. Ishte pak e vështirë për mua sepse kisha shumë emocione. Një skenë aq e madhe të ndrydh, por me thënë të drejtën mendoj se dola mirë si për herë të parë në një skenë të madhe. Gjithashtu kam marrë pjesë në “Pop Talent”, i cili organizohet në Liceun Artistik, një tjetër talent show që  promovon talentët e rinj mbajtur në Rtsh dhe drejtuar nga Bojken Lako.  

CMG: Sot je 18 vjeç, kur dhe kush e zbuloi talentin tënd?

Valdrin Mustafa: Talentin tim e zbuloi mamaja ime,  e cila është violiniste. Ajo e dalloi që unë kisha vesh për muzikë. Fillova të bëja koncerte në shkolla si për festën e abetares, etj. Por më vonë e lashë sepse violina kërkonte shumë orë studimi. Violinën e nisa në moshën 6 vjeçare dhe  e vazhdova deri në moshën 10 vjeçare,  sepse duhej një përkushtim shumë i madh, është një nga instrumentat më të vështirë. Më pas u angazhova me aktrimin, duke bërë disa shfaqje, bëra një film me metrazh të shkurtër ku kisha rolin kryesor, kam marrë pjesë tek dublimet për fëmijë në Kinostudio, etj. Më pas u shkëputa nga arti dhe nisa një karrierë me futbollin, ku u mora seriozisht nga mosha 11 vjeç, dhe pata një karrierë rreth 4 vjeçare. Nisa liceun artistik ku vijova studimet për Kanto dhe  fillova të këndoja dhe ta merrja me shumë seriozitet këtë punë. Në vitin e parë në lice, duke dëgjuar shumë grupe që më pëlqenin, më erdhi ideja për të krijuar grupin  tim muzikor. Më pas fillova të punoja dhe ta bëja sa më mirë punën me këtë grup dhe në mënyrë sa më profesionale që të interpretoja  live. Tani e kam primare muzikën dhe shpresoj që të vazhdoj sa më shumë.

CMG: Sa ka qenë repertori yt muzikor dikur dhe sa është sot?

Valdrin Mustafa: Me thënë të drejtën e kam nisur me 2-3 këngë, që kur e mendoj sot, nuk i dija dhe aq më mire, por duke i parë gjërat me detaje e duke punuar fort, sot kam në repertor mbi 60 këngë që i luaj kudo me grupin tim  muikor.

CMG: Në rrjetet sociale ke sjell mjaft bukur disa këngë të njohura shqiptare, por edhe të huaja. Ato të cilat i  ke realizuar edhe me video, a janë të preferuarat e tua?

Valdrin Mustafa: Duke qenë se ne kemi shumë këngë të bukura shqiptare, mendova që t’i fus në repertorin tim disa prej tyre dhe t’i jap një cilësi tjetër, duke qenë se këtu tek ne e pëlqejnë shumë muzikën shqiptare.

CMG: Valdrin, cilat janë planet e tua në të ardhmen?

Valdrin Mustafa: Unë do jem pjesë e një spektakli, një talent show shumë i njohur në Shqipëri, i cili të ndihmon që të ecësh përpara e të bëhesh një artist i madh. Deri tani i kam fituar audicionet e fshehura dhe në muajin shtator që fillon ky spektakël, shpresoj që të arrij finalen. Pas këtij kompeticioni, kam dëshirë që të marr pjesë në festivalin “Kënga Magjike”. Më pas dua të filloj të publikoj këngët e mia, dhe të bëhem një figurë e ekranit shqiptar dhe show-bizzit në vend. Mendoj të krijoj një karrierë këtu në vendin tim.

Valdrin Mustafa (Foto personale)

Valdrin Mustafa (Foto personale)

CMG: Si e sheh veten në të ardhmen, në cilin zhanër muzikor?

Valdrin Mustafa: Në të vërtetë është e vështirë që të bësh rrok këtu, por edhe në të gjithë botën, pasi kohët ndryshojnë dhe dëgjuesit kanë shije të ndryshme. Rryma ime e preferuar është muzika rrok, por mendoj të përshtatem edhe me preferencat e publikut, ndoshta do më shihni edhe duke kënduar afro-bit.

CMG: Si e sheh veten pas një dekade?

Valdrin Mustafa: Duke bërë muzikë live me grupin tim në skena të mëdha, por dhe të jem  një ikonë botërore.

CMG: Këtë vit, vijon studimet e larta, çfarë dege do të  zgjedhësh?

Valdrin Mustafa: Mendoj që këtë vit të regjistrohem  në Universitetin e Arteve në degën aktrim, ose regji.

CMG: Përse pas Kantos, preferon një tjetër degë të artit?

Valdrin Mustafa: Dega e aktrimit, lidhet pak edhe me muzikën dhe mendoj se është ndërthurja më e bukur.

Intervistoi: Sava Lena