
Perfaqesuesi i PS-se Damian Gjiknuri (Foto Rtsh)
Përfaqësuesi i Partisë Socialiste për Reformën Zgjedhore në Grupin për Dialog, Damian Gjiknuri, deklaroi se opozita ka paraqitur një propozim të ri, që ka të bëjë me lista të përziera.
Pas mbledhjes së grupit, ku u arrit dakordësia për votën e diasporës, Gjiknuri u shpreh se duhet diskutuar nëse ky propozim përputhet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, shkruan “RTSH”.
“Dëgjuam një propozim nga ana e opozitës që janë të gatshëm për kompromis që i afrohet formulës kushtetuese. Listë e përzier, pjesë e mbyllur dhe pjesë e hapur pa prag. Është një gjë që duhet ta diskutojmë sa në përputhje është më vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me atë që presin qytetarët shqiptarë”,- deklaroi Gjinkuri.
Ai shtoi se formula e paraqitur është më afër asaj që kërkojnë qytetarët, reflekton vendimin e Kushtetueses dhe krijon stabilitetin e duhur midis qëndrueshmërisë së listës dhe asaj që ofron kandidati.
I pyetur për mundësinë e dërgimit të një drafti në Kuvend para seancës së 25 korrikut, Gjiknuri deklaroi: “Nëse gjejmë kompromis për këto çështje, pse jo. Jemi të gatshëm dhe koha është e mjaftueshme që ekspertët të përfundojnë një draft dhe ta çojmë në Kuvend para seancës së të enjtes”. (Irma)
