Zjarret (Foto Atsh)
Shumë efektivë të Forcave të Armatosura iu bashkuan forcave operacionale në disa qarqe të vendit, të cilat, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, u angazhuan për të shuar disa vatra zjarri të përhapura në disa zona të Shqipërisë, shkruan “ATSH”.
Situata më problematike ishte në qarkun e Dibrës, në Balgjaj, Klos dhe në fshatin Madhesh, në Ulëz, ku flakët përfshinë sipërfaqe me pyll, dushqe dhe pisha.
Efektivët e Batalionit III të Burrelit, të angazhuar në këto operacione, deklaruan se është punuar me intensitet të lartë për të shuar zjarret. Sipas tyre, ndihma nga Forca Ajrore ka qenë shumë e rëndësishme në këto operacione.
Ministria e Mbrojtjes falënderoi çdo efektiv për sakrificat e tyre në këto ditë me temperatura tejet të larta, si dhe u bëri apel qytetarëve të jenë të kujdesshëm gjatë kësaj periudhe të nxehtë, të shmangin çdo pakujdesi që mund të shkaktojë zjarr dhe të reagojnë menjëherë, duke kontaktuar strukturat zjarrfikëse për të parandaluar pasojat. (Irma)