Ambasadorja zvicerane ne Shqiperi (Foto Cna.al)
Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber, deklaroi se një qeverisje demokratike është aspekt i rëndësishëm drejt integrimit në BE, si dhe për të tërhequr investitorë.
Ambasadorja Huber u shpreh gjatë një prononcimi për mediet se po punohet për të fuqizuar kapacitetet në institucione të ndryshme në Shqipëri, për zgjedhje transparente, duke shtuar se qëllimi kryesor është që të fuqizohen institucionet dhe të bëhen gati që të implementojmë proceset transparente, shkruan “Panorama”.
“Zgjedhjet demokratike dhe transparente janë një element shumë i rëndësishëm. Ne punojmë me institucione te ndryshme në Shqipëri për të fuqizuar kapacitetet. Kemi një bashkëpunim afatgjatë më Parlamentin, gjithashtu duam të forcojmë këshillat bashkiakë, si dhe kemi një bashkëpunim me KQZ-në. Pra qëllimi kryesor është që të fuqizojmë institucionet dhe t’i bëjmë gati që të implemientojmë proceset transparente”,- tha diplomatja zvicerane.
E pyetur se si mund të zgjidhet ngërçi politik për përfshirjen e diasporës në votim, ajo tha: “Vendimi për votën e emigrantëve duhet marrë nga partitë politike së bashku. Çështja e votimit është e rëndësishme për diasporën shqiptare që është e shumtë. Ne punojmë gjithashtu me KQZ-në për të fuqizuar kapacitete. Por vendimi final për votën e emigrantëve dhe modalitetet duhet të merret nga institucionet shqiptare dhe partitë politike”,- deklaroi ambasadorja zvicerane në Shqipëri. (Irma)