Foto nga Xinhua
Të shtunën, kryetari i shtetit i Kinës dhe sekretari i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Kineze Xi Jinping shkoi në ambasadën e Vietnamit në Kinë, për të bërë homazhe për ndarjen nga jeta të sekretarit të përgjithshëm të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Vietnamit (PKV), Nguyen Phu Trong.
Duke e vlerësuar Nguyen Phu Trong si një marksist të vendosur dhe një udhëheqës të madh të PKV-së dhe të popullit vietnamez, Xi tha se ai ishte përkushtuar tërësisht PKV-së dhe vendit, popullit vietnamez e kauzës së socializmit në Vietnam, dhe ishte i respektuar e i admiruar thellësisht nga partia, ushtria dhe populli i Vietnamit.
Xi kujtoi se, gjatë dekadës së fundit, ai dhe Nguyen Phu Trong kishin mbajtur kontakte të ngushta e kishin zhvilluar një miqësi të thellë dhe se vjet ata njoftuan së bashku ngritjen e marrëdhënieve dypalëshe në nivelin e një komuniteti Kinë-Vietnam me fate të përbashkëta me rëndësi strategjike, çka përbën një gur kilometrik për lidhjet dypalëshe.
"Me ndarjen nga jeta të shokut Nguyen Phu Trong ne kemi humbur një nxitës të marrëdhënieve kino-vietnameze dhe një bashkudhëtar në kauzën e socializmit dhe jemi thellësisht të trishtuar," tha Xi.
Ai theksoi gjithashtu që PKK-ja dhe qeveria kineze mbështesin në mënyrë të vendosur PKV-në në bashkimin dhe udhëheqjen e popullit vietnamez për të zhvilluar socializmin që u përshtatet kushteve kombëtare të Vietnamit.