Kisha Ortodokse: Rezultati i censit 2023 nuk pasqyron realitetin
2024-07-20 10:44:08

Kisha ortodokse (Foto RTSH)

Kisha ortodokse (Foto RTSH)

Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë kundërshton rezultatet e regjistrimit të popullsisë 2023. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Kisha Ortodokse bën të ditur se rezultati i censit në lidhje me përqindjen e numrit të të krishterëve ortodoksë nuk pasqyron në të vërtetë realitetin, citon “RTSH”.

“Kjo ka ndodhur për disa arsye, ndër të cilat do të përmendim disa: regjistruesit, në shumë raste, nuk i pyesnin të intervistuarit për përkatësinë fetare. Kemi evidencë të dokumentuar se një numër i madh besimtarësh nuk u intervistuan, sepse nuk u vizituan nga asnjë regjistrues”-, thuhet në deklaratën për shtyp.

Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë deklaron se sipas regjistrave të saj të pagëzimeve tregohet qartë se numri i të krishterëve ortodoksë është shumë herë më i madh nga sa rezulton në cens.

“Sipas statistikës së vitit 1927 kemi këto të dhëna: myslimanët sunitë dhe bektashinj përbënin 67.5%; ortodoksët 22.3% dhe katolikët 10%. Ndonëse pyetja për besimin fetar ishte fakultative, numri i madh i besimtarëve të pacilësuar prej 332.155, të ateistëve 85.311, të atyre që preferuan mos t’i përgjigjen 244.331 dhe të atyre që nuk ishin të disponueshëm 134.451 - në total 796 248 - afërsisht 1/3 e popullsisë, dëshmon për pasaktësinë e këtij censi”,- përfundon deklarata për shtyp e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. (Elona)