Rinas (Foto RTSH)
Sistemi i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës nuk është prekur nga rënia e sistemeve kompjuterike globale, por njoftoi për vonesa të shkaktuara nga bllokimi në aeroportet e tjera.
Situatë kaotike u krijua mëngjesin e së premten nga ndërprerje të funksionimit të sistemeve kompjuterike, në nivel global, që preku shërbimin e sistemit të check-in dhe rezervimit në disa aeroporte ndërkombëtare. Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” bëri të ditur se fluturimet e orareve të mëngjesit janë nisur në kohë dhe pa probleme, shkruan “ATSH”.
“Kjo pasi Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka një sistem të dyfishtë, i cili mundëson funksionimin pa probleme të tij. Duke kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve për këtë situatë të krijuar, ju lutemi të informoheni përmes zyrës së informacionit të TIA-s për oraret e fluturimeve dhe ndryshimin e mundshëm të tyre”,- thuhet në njoftim.
Një ndërprerje globale e teknologjisë solli problematika në mbarë botën, duke ndikuar operacionet në industri të shumta, me linjat ajrore që ndaluan fluturimet, disa transmetues dolën jashtë transmetimit dhe gjithçka, nga bankat te kujdesi shëndetësor, janë goditur nga problemet e sistemit. (Elona)