Edi Rama (Foto RTSH)
Kryeministri Edi Rama prezantoi Arsimin Profesional Dual, një sistem arsimor me bazë punën në biznes në mbështetje të sektorëve prioritarë ekonomikë, bazuar në modelet më të mira të vendeve të zhvilluara si Zvicra dhe Gjermania. Ky sistem do të fillojë të implementohet nga ky vit, bën të ditur “RTSH”.
Kreu i qeverisë shqiptare sqaroi se nuk bëhet fjalë për të sjellë pranë sipërmarrjeve disa vajza e djem në moshë të re që të përdoren si shërbëtorë në mjediset e punës, por për të sjellë pranë sipërmarrjeve nxënës, të cilët gjatë kohës së qëndrimit në këto sipërmarrje duhet të bëjnë shkollën dhe të trajtohen me maksimumin e kujdesit, duke ndaluar rreptësisht abuzimin me ta.
“Një nga problemet më të nxehta që ka ardhur në këtë fazë të re zhvillimi është kapitali njerëzor dhe domosdoshmëria për ta ruajtur kapitalin njerëzor ekzistues dhe për ta rritur këtë fuqi në ekonominë tonë. Sot, pa asnjë diskutim, në industrinë e turizmit në Shqipëri ka vende pune me gatishmërinë për të paguar njësoj si në vendet rreth e rrotull. Problemi është aftësia. Ndërkohë, arsimi profesional ka bërë hapa të rëndësishëm por sot është në nevojën për të bërë një hap të madh përpara, që është pikërisht dualizimi i arsimit profesional”,- tha kryeministri Rama.
Kreu i qeverisë sqaroi se fondi kombëtar i arsimit do të jetë publik, ndërsa shtoi se nevojitet një ambient i dedikuar për nxënësit. (Elona)