Shqipëria duhet të investojë 6 miliardë dollarë për të zbutur efektet e ndryshimeve klimaterike
2024-07-20 11:21:20

Klima (Foto Fax.al)

Klima (Foto Fax.al)

Nëse nuk përdoren mjete financiare për mbrojtjen nga efektet negative të ndryshimeve klimaterike, dëmet do të shumëfishohen. Në një raport të posaçëm për Ballkanin Perëndimor për efektin e ndryshimeve klimatike, Banka Botërore përllogariti se Shqipërisë i duhet një shumë prej 6 miliardë dollarësh në vitet në vijim për të zbutur ndikimet e klimës, shkruan “Panorama”.

Banka vë në dukje se kostot e përshtatjes janë të larta, por nga ana tjetër, përfitimet janë edhe më të larta. Për t’iu kundërvënë rreziqeve në rritje lidhur me ndryshimet klimatike, 6 vendet e Ballkanit Perëndimor do të duhet të marrin në konsideratë investime të mëdha në përshtatje.

Kostot e veprimeve dhe investimeve të propozuara për një paketë fillestare përshtatjeje janë 6 miliardë dollarë për Shqipërinë, 6.8 miliardë dollarë për Bosnjë dhe Hercegovinën, 2.8 miliardë dollarë për Kosovën, 5.7 miliardë dollarë për Malin e Zi, 6.4 miliardë dollarë për Maqedoninë e Veriut dhe 9.5 miliardë dollarë për Serbinë.

Përfitimet nga shmangia e humbjeve i referohet faktit që investimi në përshtatjen klimatike shpëton jetë, minimizon humbjet dhe dëmtimet e pronës, mbron investimet e kapitalit njerëzor dhe pakëson humbjet e produktivitetit. (Elona)