Ministri Mazniku: I gjithë procesi i legalizimit përfundon në vitin 2028
2024-07-20 11:36:15

Ministri i Shtetit per Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku (Foto ATSH)

Ministri i Shtetit per Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku (Foto ATSH)

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, ka deklaruar se procesi i legalizimit të objekteve të ndryshme do të përfundojë deri në vitin 2028. Në një intervistë për “RTSH”, Mazniku tha se viti 2028 mbahet si pika fundore e realizimit të të gjithë procesit të legalizimit, ndërsa shpjegoi se në një pjesë të bashkive mund të mbarojë edhe pas një viti.   

“Për bashkitë është shumë e rëndësishme që ky proces të mbarojë sa më shpejt dhe ne besojmë se futja e bashkive në këtë proces do ta përshpejtojë. Ky proces, sipas ligjit, parashikohet që të mbarojë në vitin 2028 në mënyrë totale por ne mendojmë që një pjesë të madhe të bashkive mund të mbarojë në një periudhë shumë më të shkurtër se kaq, për 6 muaj apo 1 vit nga sot.  Kemi bashki që punojnë pak më vonë në raport me volumin”,- u shpreh ministri Mazniku.

Sipas tij, deri tani nuk ka asnjë bashki skeptike ndaj këtij procesi, të gjitha kanë qenë të gatshme për të bashkëpunuar. (Elona)