Samiti Londer (Foto RTSH)
Vitin e ardhshëm, Shqipëria do të mikpresë Samitin e Komunitetit Politik Europian. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama përmes një postimi në “Facebook”, ku ka shpërndarë pamje nga Samiti i katërt i Komunitetit Politik Europian, që u mbajt në Britaninë e Madhe.
Sipas Ramës, mbajtja e këtij Samiti në Shqipëri vitin që vjen është një fakt kuptimplotë i pozicionit të ri të vendit në arenën ndërkombëtare.
“Shqipëria do të mikpresë vitin tjetër Samitin e Komunitetit Politik Europian, si një tjetër fakt kuptimplotë i pozicionit të ri të vendit në arenën ndërkombëtare, ku deri dje jo vetëm s’mund të imagjinohej të respektoheshim si të barabartë e të bëheshim stacion europian aktivitetesh të nivelit më të lartë politik, por shikoheshim si një periferi e prapambetur ballkanike”,- shkruan Rama.
45 liderë morën pjesë në Samitin e 4-t të Komunitetit Politik Europian. Kreu i qeverisë shqiptare u prit nga homologu i tij Keir Starmer, me të cilin zhvilloi edhe një takim kokë më kokë.
Kryeministri bashkëdrejtoi me homologen italiane, Giorgia Meloni, tryezën e rrumbullakët për emigracionin e paligjshëm. (Elona)