Ministri Balla: Rënie drastike e numrit të vrasjeve në Shqipëri
2024-07-20 10:43:32

Ministri Balla (Foto ATSH)

Ministri Balla (Foto ATSH)

Ministri i Brendshëm shqiptar, Taulant Balla, prezantoi në Komisionin parlamentar për Sigurinë Kombëtare projektligjin “Për Policinë e Shtetit”, i cili ndër të tjera garanton rritjen e forcës reaguese dhe parandaluese të policisë.

Ministri Balla theksoi se ka përmirësim drastik sipas statistikave mbi indikatorët e punës së Policisë së Shtetit.

Kjo, sipas tij, e dëshmuar përmes indikatorëve të luftës kundër kriminalitetit që kanë pasur përmirësim të ndjeshëm. Ministri Balla solli në vëmendje statistikat lidhur me vrasjet, duke informuar se në vitin 2012 ka pasur 125 vrasje, ndërsa sot ka një rënie drastike në 35 vrasje.

“Kjo është një rënie drastike, më e dukshmja në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”,- tha Balla, citon “ATSH”.

Duke folur për aksidentet rrugore, ministri theksoi se pavarësisht shumëfishimit të numrit të mjeteve që lëvizin në Shqipëri në këto vite, bie në sy përgjysmimi i humbjes së jetëve për shkak të aksidenteve rrugore.

Ministri Balla theksoi po ashtu se projektligji i ri i “Policisë së Shtetit” mundëson thellimin e bashkëpunimit të policisë me agjencitë apo palët e aktorët e tjerë të interesit. (Elona)