Julian Elezi prezanton këngën “Miqtë e zemrës”
2024-07-20 09:39:00

Julian Elezi ne nje feste shqiptare (Foto personale)

Julian Elezi ne nje feste shqiptare (Foto personale)

Julian Elezi është një këngëtar i ri i muzikës popullore nga Pogradeci. Ai që i vogël ka qenë i pasionuar pas këngës popullore, një pasion i trashëguar nga gjyshërit e tij. Juliani ka publikuar tre materiale muzikore, që janë pritur mirë nga artdashësit dhe në të ardhmen dëshiron të sjellë ndonjë duet me këngëtarë të tjerë të këngës popullore. Ai ka marrë pjesë në mjaft evente muzikore, gëzime familjare dhe festa të tjera. Së fundi ka publikuar këngën “Miqtë e zemrës”. Në një intervistë për Radio Ejani Julian Elezi tregon për fillimet e tij në muzikën popullore, projektet muzikore dhe planet.

CMG: Si lindi pasioni për muzikën popullore?

Julian Elezi: Magjia e këngës popullore është e tillë që të tërheq dhe të bën për vete që në tingullin e parë, në këngën e parë apo vallen e parë popullore. Lidhja ime me këngën popullore është e hershme, por dhe gjenetike, sepse të dy gjyshërit e mi këndojnë vërtetë bukur. Flas për këngët me iso, sepse në kohën kur unë isha i vogël dhe në gëzimet familjare, siç e dinë të gjithë pihet rakija dhe vera me dolli, dhe në këto gëzime këndonin këngën popullore si burrat ashtu edhe gratë. Unë përfshihesha gjithmonë si fëmijë që isha në krye të tavolinës mes të dy gjyshërve duke bërë iso me to dhe duke kënduar, derisa tani e konsideroj veten  këngëtar të muzikës popullore.

Julian Elezi me kolegun e tij (Foto personale)

Julian Elezi me kolegun e tij (Foto personale)

CMG: Kur ka qenë prezantimi i parë para publikut dhe si je ndjerë?

Julian Elezi: Prezantimi i parë para publikut mbetet gjithmonë i veçantë dhe e kujtoj edhe tani. Lidhja me publikun ka emocione dhe motivim, kënaqësia është e dyfishtë sepse jep dhe merr emocione. Kur këndon para publikut ndjehesh i plotësuar  dhe dëshira për të kënduar rritet së brendshmi, gjithmonë kërkon të këndosh më shumë dhe të angazhohesh akoma më tepër. Dalja ime e parë para publikut ka qenë në qytetin tim të Pogradecit në sheshin e Odeonit. Atëhere këndoja më dëshirë të madhe këngët e këngëtarëve më të njohur të muzikës popullore siç është Ylli Baka dhe Ervis Behari. Dalja ime e parë ka qenë me këngët “Atdhedashuria “ dhe “Kur kaloj nga Korça”.

CMG: Sa këngë ke realizuar deri tani dhe si janë pritur nga artdashësit e muzikës popullore?

Julian Elezi: Unë jam në fillimet e mia në rrugën e këngës, deri tani kam përfunduar tre projekte, ku njëri është me tekst popullor dhe titullohet “Gjitonen që kisha pranë”, një kolazh që përbëhet nga dy këngë. Ndërsa dy projektet e tjera jam autori i teksteve. Këngët titullohen “Falma dashurinë” dhe “Miqtë e zemrës “. Këto këngë janë pritur relativisht mirë, jam i kënaqur dhe gjithmonë kam synuar për më shumë.

CMG: Cilët janë bashkëpunëtorët tuaj në realizimin e produksioneve muzikore?

Julian Elezi: Dëshiroj të falenderoj shumë klarinetistin Bruno Prubollari, dy vëllezërit Kaba që janë shokët e mi më të mirë dhe muzikantë shumë të mirë, që më kanë ndihmuar për të arritur diçka më shumë dhe për të kërkuar më shumë tek vetja, për t’u përfaqësuar vetë tani si një këngëtar i muzikës popullore. Unë kam punuar me studio të ndryshme muzikore dhe dua t’i falenderoj të gjithë bashkëpunëtorët e mi.

CMG: Ke realizuar ndonjë duet me këngëtarë të tjerë?

Julian Elezi: Më pëlqen ideja e të bërit një duet, por do t’i ngelet kohës për ta realizuar më vonë. Deri tani jam përpjekur të eci me këmbët e mia, për të ngritur veten time, por më vonë besoj të bëj duete me këngëtarë të tjerë.

CMG: Aktivitetin tënd muzikor e ke vetëm në Shqipëri, apo ke shkuar dhe jashtë?

Julian Elezi: Unë kam qenë pjesëmarrës në ditëlindje, fejesa, dasma dhe evente të ndryshme. Gjithashtu kam zhvilluar koncerte jashtë Shqipërisë, si në Greqi, por dhe në dasmat shqiptare në Maqedoninë e Veriut, sepse është popullsi që përshtatet me këngët tona. Gjithmonë kam qenë në kontakt me çdo vend që ka emigrantë shqiptarë, por nuk kanë qenë kushtet për të shkuar.

Kengetari Julian Elezi (Foto personale)

Kengetari Julian Elezi (Foto personale)

CMG: E ke veshur ndonjëherë kostumin popullor të trevës tuaj?

Julian Elezi: Do ta vishja me kënaqësinë më të madhe, por nuk kam rastisur në evente të tilla që të ketë qenë i nevojshëm një kostum i zonës time, por do ta vishja me shumë dëshirë dhe krenari.

CMG: Sipas teje, cila është veçantia e këngëve popullore të juglindjes?

Julian Elezi: Unë kam kënduar në qytetet që kam afër, Korçë, Bilishti dhe Ersekë, por dhe zonat e Librazhdit e Prrenjasit, por emocioni që gjendet në dasmat e Korçës dhe Pogradecit është diçka ndryshe, sepse ka nuanca të tjera në këngë.

CMG: Mendon se brezi i ri sot e pëlqen këngën e mirëfilltë popullore?

Julian Elezi: Mendoj se po, sepse muzika jonë popullore të jep një energji pozitive dhe një gjendje shpirtërore që gjithmonë ta buzëqesh fytyrën për ata që vërtetë e duan këngën popullore. Fakti që shumë të rinj sot i këndojnë këngët popullore, por luajnë dhe me instrumentat popullore siç mund të jetë klarineta apo defi në zonën e jugut, këto video bëhen virale në rrjetet sociale nga shumë të rinj, mendoj se po përkrahet shumë kënga popullore. Muzika popullore nuk konsumohet kurrë, por gjithmonë ka diçka te re.

CMG: Ke ndonjë këngëtar idhull në muzikën popullore?

Julian Elezi: Kur isha i vogël këndoja këngët e Ylli Bakës. Gjithmonë e dëgjoja me shumë kënaqësi, sepse më pëlqen shumë mënyra sesi ai këndon, sesi e prek skenën dhe e përcjellë emocionin tek publiku. Pastaj duke u rritur dëgjoja çdo këngëtar të mundshëm dhe çdo këngë popullore që publikohej, dhe nga të gjithë përpiqesha të merrja më të mirën për t’ja dhënë këto cilësi vetes që në fund të ditës të perfeksionoja veten.

Julian Elezi gjate nje eventi (Foto personale)

Julian Elezi gjate nje eventi (Foto personale)

CMG: Përveç muzikës a ke pasione të tjera?

Julian Elezi: Një pasion tjetër i imi është udhëtimi, më herët udhëtoja për pasion, me familjen apo me shoqërinë time dhe më vonë udhëtoja bashkë me grupin nëpër evente të ndryshme. Kështu që vit pas viti pasioni për të udhëtuar është bërë akoma dhe më i madh. Udhëtimi do mbetet një pjesë e jetës time, që gjithmonë do ta shoh si moment për t’u çlodhur, sepse është pasion ashtu si dhe kënga.

Julian Elezi (Foto personale)

Julian Elezi (Foto personale)

CMG: Cilat do të jenë aktivitetet dhe projektet tuaja muzikore këtë verë?

Julian Elezi: Aktualisht të gjithë këngëtarët përqëndrohen tek dasmat sepse emigrantët po kthehen në atdhe për të takuar të afërmit e tyre. Unë do të jem mes njerëzve në eventet që jam ftuar, për të qenë pjesë e ditës më të rëndësishme të tyre. Përveç dasmave, fejesave shkoj dhe në lokale ku performoj me muzikë live, sepse zona ime ka serenatat dhe këngët pogradecare qytetare. Mendoj se është momenti i duhur për të sjellë një duet, por për momentin do t’i le hapësirë këngës time të fundit “Miqtë e zemrës”, që të dëgjohet nga të gjithë.

Intervistoi: Gazmend Agaj