Turistët (Foto ATSH)
Fluksin e lartë të turistëve që vizitojnë Shqipërinë e konfirmojnë edhe statistikat rreth shfrytëzimit të strukturave akomoduese.
Sipas raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), vizitorët jorezidentë në strukturat akomoduese në vend u rritën me 63.2% në muajin maj të këtij viti, krahasuar me majin e një viti më parë, përcjell “ATSH”.
Numri i vizitorëve gjithsej, sipas INSTAT, është rritur me 45.8%, në krahasim me majin 2023, ndërsa numri i netqëndrimeve gjithsej është rritur me 30.9%.
Numri i vizitorëve jorezidentë të cilët janë akomoduar në rajonin qendër, thuhet në raport, ka shënuar rritje me 84%.
Në zonat bregdetare, ky tregues është rritur me 42.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Numri i vizitorëve jorezidentë në hotele dhe akomodime të ngjashme ka shënuar rritje me 62.2%.
Vizitorët nga Kosova kryesuan gjatë kësaj periudhe me 11.4%, të ndjekur nga vizitorët italianë me 10.3%. 6.8% e vizitorëve ishin gjermanë, 6.2% ishin polakë dhe 3.8% ishin nga Mbretëria e Bashkuar. (Elona)