Reformat, prioritetet dhe modernizimi i Kinës hyjnë në një fazë të re
2024-07-19 11:14:17

Në një prononcim për media në vitin 2014, Presidenti i Kinës është shprehur se reformat, aplikuar për më shumë se 30 vjet, kanë hyrë në një zonë me ujë të thellë. Xi tha, “Mund të thuhet se pjesa e lehtë e punës është bërë për kënaqësinë e të gjithëve. Ajo që ka mbetur janë kockat e forta që janë të vështira për t'u përtypur. Kjo kërkon që të veprojmë me guxim dhe të përparojmë në mënyrë të qëndrueshme.” Lundrimi në thellësi për drejtimin e një shteti me më shumë se 1.4 miliard banorë ka në thelb trajtimin e çështjeve sfiduese të vendit, duke përfshirë marrjen e rreziqeve të mëdha dhe prek pa dyshim interesat thelbësore të shumë njerëzve.

Në fjalët e Xi në korrik 2024, “reformim dhe hapje” nuk ka kohë të shkuar por vetëm “kohë progresive”.... reforma thellohet, hapja vazhdon.

Në këtë kontekst, elita e PKK-s u mblodh nga 15 deri më 18 korrik për një takim kyç politik që kishte në fokus reformat mes sfidave të ndryshme ekonomike. Në spektrin politik kinez, kjo mbledhje plenare mund të shihet si një takim menaxherial dhe vendimtar. Për të sqaruar, Kongresi Kombëtar i PKK-së është i ngjashëm me një mbledhje bordi që përcakton drejtime dhe plane të gjera, ndërsa mbledhja plenare thellohet në detaje, duke diskutuar ecurinë e këtyre planeve. Çdo legjislaturë ka 7 plenume, në rastin konkret bëhet fjalë për Plenumin e Tretë, dhe më vendimtarin e mandatit 5-vjeçar (2022-2027).

Presidenti kinez Xi Jinping mbajti fjalim në Sesionin e Tretë Plenar të Komitetit Qendror të 20-të të Partisë Komuniste të Kinës (PKK)/Xinhua 

Kina dhe reformat – një histori vazhdimësie dhe transformimi

Reforma në Kinë është një mjet i fuqishëm për stimulimin e rritjes. Asnjëherë në historinë botërore kaq shumë njerëz nuk kanë përmirësuar standardet e tyre të jetesës, në një kohë kaq të shkurtër. Rritja ekonomike e Kinës gjatë dekadave të mëparshme bazohej në disa faktorë kyç: një sekuencë reformash institucionale të orientuara nga tregu, duke përfshirë hapjen ndaj tregtisë ndërkombëtare dhe investimeve direkte, të kombinuara me paga të ulëta dhe një strukturë të favorshme demografike.

Këto reforma, megjithëse revolucionare në atë kohë, përfaqësojnë "pjesën e lehtë" të agjendës së reformave, të nxitura nga një vizion i qartë dhe zbatimi relativisht i drejtpërdrejtë. Rezultatet ishin  mbresëlënëse: urbanizimi i shpejtë, industrializimi dhe një reduktim drastik i niveleve të varfërisë, e shumë e shumë të tjera.

Por, faza aktuale e reformës, të cilën Xi e përshkruan metaforikisht si përtypje të "kockave të forta", kërkon adresimin e çështjeve strukturore të rrënjosura thellë përmes reformave gjithëpërfshirëse dhe shpesh të vështira. Këto çështje përfshijnë pabarazinë e të ardhurave, problemet e mjedisit, korrupsionin dhe imperativin për një model ekonomik më të qëndrueshëm. Adresimi i këtyre sfidave kërkon jo vetëm guxim, por edhe një ekuilibër të përpiktë midis përparimit dhe stabilitetit.

Thirrja për veprim të guximshëm nënkupton një nevojë të madhe për risi në politikëbërje. Kina duhet të eksplorojë kufij të rinj në qeverisjen ekonomike dhe sociale, duke përqafuar teknologjitë e fundit dhe duke nxitur një kulturë të fortë sipërmarrjeje. Kjo nënkupton kalimin nga një ekonomi e bazuar kryesisht në prodhim në një ekonomi të nxitur nga shërbimet, teknologjia dhe inovacioni. Shfaqja e inteligjencës artificiale dhe teknologjive të gjelbra paraqet mundësi të konsiderueshme për Kinën, megjithatë, ky tranzicion kërkon një menaxhim politik tejet të kujdesshëm për të shmangur probleme të brendshme dhe presione të jashtme.

CFP

Lidhja e transportit Shenzhen-Zhongshan mbi detin/CFP

Lidhja e transportit Shenzhen-Zhongshan mbi detin/CFP

Sesioni i Tretë Plenar

Sesioni i Tretë Plenar i Komitetit Qendror të 20-të të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) në Pekin shënoi një moment kyç në udhën e Kinës për modernizim. I udhëhequr nga Sekretari i Përgjithshëm Xi Jinping, Komiteti miratoi një rezolutë që synon thellimin e reformave në të gjithë sektorët për ta shtyrë Kinën drejt qëllimit të saj ambicioz për t'u bërë një vend i madh modern socialist nga mesi i këtij shekulli.

Komiteti miratoi një rezolutë të rëndësishme që synon thellimin e mëtejshëm të reformave për të çuar përpara modernizimin kinez, duke theksuar një vizion strategjik për të ardhmen e vendit.

Në qendër të kësaj rezolute qëndron një agjendë gjithëpërfshirëse për të avancuar dhe rafinuar “socializmin me karakteristikat kineze”. Komiteti parashikon përfundimin e ndërtimit të një ekonomie tregu socialiste me standarde të larta deri në vitin 2035, së bashku me një rishikim të rëndësishëm të sistemeve të qeverisjes për të rritur efikasitetin dhe përshtatshmërinë përballë sfidave moderne. Urgjenca dhe shkalla e këtyre reformave pasqyrojnë angazhimin e palëkundur të Kinës për të transformuar peizazhin ekonomik të Kinës. Duke vendosur një afat kohor të qartë për arritjen e këtyre objektivave deri në 80-vjetorin e Republikës Popullore të Kinës në vitin 2029.

Inovacioni qëndron si një gur themeli i prosperitetit të ardhshëm të Kinës. Komiteti angazhohet për përshpejtimin e reformave në arsim, shkencë dhe teknologji për të nxitur një mjedis favorizues për inovacion dhe krijimtari.

Qeverisja makroekonomike është gjithashtu e dukshme në agjendën e reformave. Komiteti planifikon të sinkronizojë reformat në sektorët fiskalë, tatimorë, financiarë dhe sektorë të tjerë kyç për të arritur një koherencë dhe efektivitet më të madh të politikave. Planifikimi strategjik i përmirësuar dhe mekanizmat e koordinimit të politikave janë integrale për të siguruar rritje të qëndrueshme ekonomike dhe stabilitet mes pasigurive globale.

Sesioni i Tretë Plenar i Komitetit Qendror të 20-të të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) në Pekin/Xinhua

Sesioni i Tretë Plenar i Komitetit Qendror të 20-të të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) në Pekin/Xinhua

Në nivel ndërkombëtar, rezoluta nënvizon përkushtimin e Kinës për hapjen e mëtejshme të ekonomisë së saj dhe thellimin e bashkëpunimit global. Kjo përfshin zgjerimin e kornizave institucionale për tregtinë ndërkombëtare, reformimin e sistemeve të menaxhimit të investimeve dhe avancimin e nismave bashkëpunuese si Nisma “Një brez, një rrugë”. Duke përqafuar globalizimin dhe duke promovuar zhvillimin e përbashkët, Kina kërkon të luajë një rol udhëheqës në formimin e një ekonomie globale më gjithëpërfshirëse dhe të ndërlidhur.

Sinjal tjetër është hapja e mëtejshme e Kinës ndaj botës. Hapja, në fakt, është pjesë e reformës së përgjithshme, sepse nxit zhvillimin. Prandaj, në fazën tjetër, Kina do të shtyjë agjendën me një hapje sistematike të nivelit të lartë, të gjithanshëm përsa i përket rregullave, rregulloreve, menaxhimit dhe standardeve e të vazhdojë të kultivojë një mjedis biznesi me cilësi të lartë, të bazuar në rregulla dhe me natyrë globale. Promovimi i hapjes së nivelit të lartë do ta ndihmojë Kinën të përshtatet më mirë me mjedisin e ri konkurrues global, të mbajë zinxhirë të hapur dhe gjithëpërfshirës globalë, dhe të kundërshtojë përpjekjet për të frenuar Kinën përmes "de-globalizimit" ose "shkëputjes". Nisur nga këto fakte, qeveria qendrore ka theksuar se kultivimi i forcave të reja, cilësore, prodhuese është i domosdoshëm për të nxitur një zhvillim cilësor.

CFP

qyteti i lashtë i Kinës Xi'an/CFP

E përshkruar si një "tipar përcaktues i modernizimit kinez", rezoluta nënvizon rëndësinë e hapjes. Strategjitë kryesore si, zgjerimi i hapjes institucionale, thellimi i reformave strukturore të tregtisë së jashtme, reformimi i sistemeve të menaxhimit për investimet e brendshme dhe të jashtme etj, hapin një dritare në të ardhmen e afërt të Kinës me një pamje të re gjeo-ekomomike.

Me zbatimin e këtyre masave, Kina do të vazhdojë të forcojë ekonominë socialiste të tregut dhe të ecë drejt një të ardhmeje më të begatë, të qëndrueshme dhe më të fuqizuar.

Zhvillimi me në qendër njerëzit është një nga parimet bazë që drejton modernizimin kinez. Kina e bëri të qartë në mes korriku 2024 se reformat duhet të kenë në fokus njerëzit dhe t'i shërbejnë popullit. Duke nënvizuar angazhimin e PKK-së për të ofruar drejtësi sociale, për të ruajtur harmoninë dhe për të siguruar frytet e modernizimit dhe zhvillimit shpërndahen në mënyrë të barabartë. Ky parim i përqendruar te njerëzit jo vetëm që rrit stabilitetin social, por gjithashtu mobilizon mbështetjen e publikut për reformën.

Vizioni, reformat, dhe reformatori i këtij brezi

Përpjekja e reformimit të Kinës e nisur nga Deng Xiaoping ishte hapja e vendit ndaj botës dhe ndërtimi i fazës tjetër të madhe të zhvillimit. Tani kemi arritur në Epokën e Re të zhvillimit dhe reformave të Kinës, dhe kjo epokë është e lidhur me emrin Xi. Që në javët e para të marrjes së drejtimit të Kinës, Xi e ka bërë të qartë se, megjithëse reforma dhe hapja do të vazhdonin, nevojiteshin reforma të reja thelbësore. Presidenti Xi siguroi që reforma nuk ka një një pikë përfundimtare, por një përpjekje e vazhdueshme për të qëndruar aktual dhe për të ecur me hapat kohës. Qëllimi ishte që Kina të mos mbetej një fuqi prodhuese me paga të ulta, por të hidhej nga një fazë në tjetrën, duke theksuar zhvillimin në shkencë dhe teknologji për t'u bërë një komb modern. Gjithëpërfshirja e kësaj reforme synonte zgjerimin e saj në të gjithë kombin dhe krijimin e bazës për modernizimin e plotë të Kinës.  

Xinhua

Sesioni i Tretë Plenar i Komitetit Qendror të 20-të të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) në Pekin/Xinhua

Kur e vendosim Presidentin Xi në kontekstin e tij historik, kuptojmë se ai po e fut Kinën në një pozicion të ri si një fuqi botërore. Reformat e tij në qeverisje, fushata kundër korrupsionit, inovacioni i teknologjisë dhe angazhimi për zhvillimin e gjelbër e kanë bërë Kinën një lider global.

Kur ai mori detyrën, ishte evidente se duheshin reforma të reja, dhe dihej nga të gjithë ekspertët kinezë se ndërsa Kina u ngrit si një fuqi e madhe, kishte të ngjarë të përballej me erëra të forta gjeopolitike.

Presidenti Xi ka udhëhequr fazën aktuale të zhvillimit në Kinë, duke prezantuar ide dhe koncepte të reja si fati i përbashkët i njerëzimit, prosperiteti i përbashkët dhe zhvillimi i forcave të reja prodhuese. Këto ide janë vendimtare për përparimin e Kinës drejt një ekonomie më të suksesshme dhe të zhvilluar.

CFP

turistët e huaj në Kinë/CFP

Kombet dhe nocioni i një bashkësie ndërkombëtare me fate të përbashkëta, të bazuara në pjesën më të madhe të traditës antike kineze dhe të të menduarit konfucian, si dhe në zhvillimet moderne, po vihen në tryezë si një mjet për të formëzuar komunitetin ndërkombëtar. Kjo qasje synon të shmangë luftërat, konfliktet dhe rreziqe të tjera të përjetuara gjatë shekujve. Arritja e reformave të tilla kërkon guxim të jashtëzakonshëm,  lider vizionar dhe aftësi të tejskajshme drejtuese.

Së fundmi, trajektorja e Kinës është formësuar thellësisht nga forcat e dyfishta të reformës dhe hapjes, një proces revolucionar që vazhdon të ripërcaktojë statusin e saj global. Ndërsa  Kina është duke përpunuar përgjigjet shtetërore për sfidat nga brenda dhe jashtë, imperativi për të thelluar reformat dhe për të zgjeruar hapjen shfaqet jo vetëm si një zgjedhje strategjike, por si një domosdoshmëri ekzistenciale. Plenumi i sapopërfunduar, duke paralajmëruar një angazhim të ripërtërirë ndaj këtyre parimeve, shënon një moment kyç në rrugëtimin e modernizimit të Kinës. Theksi në shfrytëzimin e fuqive institucionale të Kinës për të përmirësuar qeverisjen kombëtare pasqyron një këndvështrim vizionar, të mbështetur nga strategji të qarta dhe pragmatike. Kina po balancon ambicien me përgjegjësinë, duke shfrytëzuar avantazhet e saj institucionale për zhvillim të qëndrueshëm dhe stabilitet kombëtar dhe global.

Dr. Marsela Musabelliu