Ministria e Financave bëri të ditur se të ardhurat e mbledhura në buxhet gjatë gjysmës së parë të vitit arritën në rreth 342.8 miliardë lekë, ose 102.5% e planit të së njëjtës periudhë.
Sipas raportit mbi treguesit fiskalë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, u mblodhën rreth 22.85 miliardë lekë më shumë, ose 7.1% më shumë se 6-mujori i vitit 2023, shkruan “ATSH”.
Të ardhurat e arkëtuara nga Doganat dhe Tatimet përfshirë edhe kontributet e mbledhura nga Tatimet, arritën në 297.5 miliardë lekë, 26.8 miliardë lekë ose 9.9% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, si dhe 5.2 miliardë lekë ose 1.8% më shumë se plani 6-mujor për vitin 2024.
Sipas MF-së, shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën janar-qershor, arritën në rreth 291.4 miliardë lekë me një realizim në masën 93.1 për qind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023 ato rezultojnë 6.4 për qind më të larta ose rreth 17.5 miliardë lekë më shumë. (Irma)