Rrugët e reja dhe zhvillimi ekonomik i Shqipërisë
2024-07-19 10:13:07

Më 30 qershor 2024, u hap për qarkullim aksi i ri rrugor Thumanë-Kashar, i gjatë 21 km. Me nga tre korsi për secilin kah lëvizje, njëra për emergjencat, me 14 nënkalime e 12 ura, Thumanë-Kashar i shërben sa qytetarëve tane, aq edhe turistëve të huaj.

Aksi Thumanë-Kashar është rrugë e kategorisë A të standardeve të Bashkimit Evropian. Është një aks me çertifikatë sigurie të Bashkimit Europian. Ky aks rrugor është një nga më të rëndësishmit e Korridorit Blu në Shqipëri dhe në rajon. Ai lidh Veriun e Shqipërisë me Jugun, me shpejtësi deri në 140 km në orë.

Eksperti Florian Salaj në intervistë për CMG

Eksperti Florian Salaj në intervistë për CMG

Autostrada e re Thumanë-Kashar po e lehtëson ndjeshëm trafikun, sidomos në pikun e sezonin turistik të verës ku jemi, për shkak të fluksit të turistëve që vijnë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit.  Kjo autostradë përfaqëson zgjidhjen europiane të fluksit të rënduar rrugor që po përjetojmë, për shkak të ngarkimit të rrugëve ekzistuese përreth Aeroportit të Rinasit, i cili, në pesë vitet e fundit, ka tërhequr rreth vetës një trafik rrugor tre herë më të lartë, në krahasim me vitin 2018.

Korridorit Blu në Shqipëri është pjesë e unazës europiane të turizmit mesdhetar. Me këtë Korridor mbyllet një pjesë e madhe e rrjetit kryesor të Shqipërisë, ndërkohë që po punohet fort me zgjerimin e rrugës nga Elbasani në Qafë-Thanë,  pjesë e boshtit tjetër rrugor, Korridorit të 8-të, në mënyrë që ky Korridor të jetë një realitet në pikëpamje të çdo standardi, jo thjesht një rrugë e hapur për të kaluar, siç është sot.

Më 5 korrik 2024, u hap për qarkullimin e automjeteve nje veper tjeter shume e rendesishme rrugore po e Korridorit Blu, Tuneli i Llogarasë, 5.9 km i gjatë. Ai është ndër tunelet më të gjatë në Ballkan dhe u ndërtua i tëri me fondet e Buxhetit të Shtetit. Tuneli përfaqëson një nga veprat më të rëndësishme infrastrukturore të Shqiperise, një investim historik, i cili e transformon qarkullimin rrugor drejt Jugut të Shqipërisë, duke shkurtuar ndjeshëm kohën e udhëtimit dhe duke nxitur zhvillimin ekonomik dhe turistik të rajonit dhe vendit në tërësi.

Tuneli i Llogarasë, me shpejtësi maksimale të lejuar 80 km në orë, shkurton distancën nga Vlora në Palasë, nga 1 orë në vetëm 20 minuta.

Me këtë akses më të shpejtë në Rivierën Shqiptare, sipas parashikimeve të ekspertëve të tregut imobiliar, të 48 mijë apartamentet në Rivierë nga Palasë e deri në Ksamil, do ta shohin të rritur vleren e tyre të tregut të rritur ndjeshëm.

Sipas INSTAT, Riviera Shqiptare, bregdeti i detit Jon nga Vlora deri në Sarandë, ka patur gjatë vitit 2023 mbi 5.8 milionë vizitorë vendas dhe të huaj. Për këtë vit, operatorët turistikë mendojnë se Riviera Shqiptare, edhe për shkak të lehtësimit të aksesit përmes Tunelit të Llogarasë, do të presë të paktën 30 përqind më shumë vizitorë. 

CMG: Më 30 qershor të këtij viti u hap për qarkullim autostrada e parë e kategorise “A” në Shqipëri, Thumanë-Kashar, e cila mendohet të shfryjë trafikun e rënduar rreth Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit. Më 5 korrik  u hap Tuneli i Llogarasë. Në gjykimin tuaj, sa e ndihmojnë ekonominë tonë, sidomos turizmin, të shndërruar në industrinë numër një të vendit, këto dy investime themelore në infrastrukturën rrugore?

Projekti i Aeroportit të Vlorës (Foto Balkanweb)

Projekti i Aeroportit të Vlorës (Foto Balkanweb)

Florian Salaj: Së pari,  nuk e di nëse është shndërruar në industrinë e parë të vendit. Sidoqoftë, turizmi përfaqëson 20 përqind të ekonomisë, duke konsideruar vitin 2023.

Kjo do të thotë që ai zë një rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit. Në momentin që ne jemi në fazat e para të turizmit, përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe të asaj ajrore dhe hekurudhore, ndikon në rritjen turistëve të huaj në Shqipëri dhe në përballimin e numrave të rritur, duke parë shtimin e vëmendjes të vendeve dhe turistëve të huaj përreth nesh.

Pra, infrastruktura të lejon të shfrytëzosh gjithë potencialin që vendi mund të ofrojë në turizëm. Dhe jo vetëm kaq. Infrastruktura, sidomos ajo rrugore, me këtë potencial turistësh, të cilët ushtrojnë presion në pjesën vendase, duhet mbi të gjitha, duke qenë se turizmi  ndihmon në qendrueshmërinë ekonomike të zhvillimit të vendit, të mund të ndihmojë në zhvillimin e bujqësisë dhe të krijimit të një zinxhiri vlerash, që të ndikojnë në mënyrë indirekte në zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë së vendit.

CMG: Në pranverën e vitit 2025 pritet të nisë nga fluturimet Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës. Sa do ta ndihmojë ky aeroport ekonominë rajonale në Vlorë, por në tërësi mbarë ekonominë tonë?

Florian Salaj: Jemi në të njëjtin diskutim, sa i takon infrastrukturës. Kemi infrastrukturë rrugore, ajrore, detare. Aeroporti i Vlorës është infrastrukturë ajrore. Turistët e huaj, në përgjithësi, e duan vendin që duan të pushojnë, maksimumi 1.5 orë larg aeroportit.

Kjo gjë deri tani nuk ka qenë e mundur për Palasën, Dhërmiun, etj., pra për perlat e Rivierës së Shqipërisë. Me Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, kapja dhe mundësia për të shfrytëzuar Rivierën tonë nga ana e të huajve do të rritet së tepërmi. Aeroporti i Vlorës do të ketë udhëtime transatlantike.  Kështu që baza e turistëve rrit probabilitetin e bazës, duke shtuar Amerikën dhe vende të tjera.

CMG: A kanë lidhje dhe vlerë të shtuar Tuneli i Llogarasë me Aeroportin e Vlorës? A mund të krijojnë sinergji ato?

Florian Salaj: Patjetër. Unë i konsideroj si një sistem të dyja bashkë.

Parashikoj se ndërveprimi i të dyja veprave do të japë presion të madh tek turizmi dhe kjo do të sjellë rritje çmimesh. Megjithatë, Vlora nuk ka atë rritje çmimesh që perceptohet. Por është fakt kokëfortë se rritja e turistëve që pritet të vijnë do të shtyjë çmimet lart. Dhe kjo do të  çojë në diskrimimin midis turistëve të huaj dhe shqiptarëve, që kanë problem në përballimin e këtyre çmimeve.

Mirëpo, nga ana tjetër, zhvillimi në sektorë të tjerë do të bëjë që edhe shqiptarët mos të dalin jashtë mundësisë për t’i shfrytëzuar këto vende.

CMG: Punimet në rrugën Elbasan-Qafë Thanë që priten të përfundojnë në dhjetor 2024, nxorën dhe një herë në pah Korridorin e Tetë. Sa i rëndësishëm është ky Korridor për ekonominë tonë?

Florian Salaj: Do të jetë fondamental.

Tuneli i Llogarasë (Foto Abcnews)

Tuneli i Llogarasë (Foto Abcnews)

Korridori i Tetë ka qenë, të paktën në këndvështrimin tim, baza në të cilën do duhet të zhvillohej ekonomia jonë, pasi do të lidhë Portin e Durrësit me autostratën që shkon në Maqedoninë e Veriut dhe deri në Serbi. Pra, Ky Korridor do të bënte të mundur shfrytëzimin e plotë të transportit të mallrave, gjë e cila na ka munguar.

Për mua, ky investim është  prioritar dhe Korridori i Tetë është prioritar, në krahasim me të gjitha investimet e tjera që po flasim sot këtu.

Ky Korridor lejon atë diversifikim dhe ul atë përqëndrimin e ekonomisë në një sektor, si ai i turizmit.

Nëse nuk investon në këtë Korridor, atëhere kjo bën atë që  vlerën e shtuar e ke më të vogël, nëse e lë në rënie të lirë. Nëse ti e planifikon dhe investon, të dyja Korridoret, si Korridori Blu, ose ndryshe i turizmit, edhe Korridori i Tetë, ndihmojnë njeri- tjetrin.

CMG: Ju folët për rëndësinë e Korridorit të Tetë për ne. Në rajonin tonë, Kina, me nismat e saj, ku spikat nisma “Një Brez, Një Rrugë”,  po shfaqet fort në investimet infrastrukturore. Kina është sot partneri i dytë tregtar i Shqipërisë. Rritja e vëllimit tregtar a mund të përkthehet edhe në rritjen e investimeve infrastrukturore në të ardhmen dhe jo vetëm në rajon?

Florian Salaj: Sigurisht, nëse kjo do të jetë aftësia e tyre, e Kinës, po.

Meqenëse Korridori i Tetë do të lidhet me autostradën që do të kalojë nga Maqedonia e Veriut në Serbi, si dhe me një treg që shkon në drejtim të Turqisë, Azisë e më tej, pra varet nga aftësitë e tyre depërtuese.  Si ata, kinezët, edhe vende të tjera, por edhe vetë ne,  do të kemi mundësinë që, nëse do të nxisim edhe prodhimin vendas, atëhere do të kemi një  akses përtej tregut vendas.

CMG: Në dhjetor të këtij viti pritet të përfundojë Unaza e Madhe e Tiranës, ndërkohë që rruga më e rënduar e vendit, aksi Tiranë-Durrës do të zgjerohet. A janë këto investimet e duhura për zhvillimin e qendrueshëm të ekonomisë sonë, përsa i përket infrastrukturës?

Florian Salaj: Zhvillimi i qendrueshëm dhe infrastruktura nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë, por indirekte. Për shembull, ne po zhvillojmë infrastrukturën. Po rritet turizmi dhe ne do të marrim masa të tjera, që këto fonde që vijne nga turizmi, t’i kanalizojmë në sektorë të tjerë të ekonomisë.

Ne sot kemi sasi të mëdha eurosh në treg, si pasojë e turizmit. Dhe nëse  i drejtojmë në ekonomi në sektorë të tjerë, atëhere do të shfrytëzohet i gjithë potenciali. 

I njëjti arsyetim vlen edhe për aksin rrugor Tiranë- Durrës dhe për Unazën e Tiranës.

Intervistoi Fatos Çoçoli