Foto nga RTSH
Në Kukës nisi aktiviteti kinematografik “Open Cinema”, i quajtur ndryshe “Kinemaja shëtitëse nëpër Shqipëri”, që këtë vit ka nisur edicionin e tetë, aktivitet i mbështetur nga Bashkia.
Producenti dhe kineasti Skënder Jaçe tha se prodhime kinematografike shqiptare që mbajnë emrin e regjisorëve të njohur janë pjesë e rëndësishme e këtij aktiviteti, shkruan “RTSH”.
“E veçanta është se sjellim filma të rinj të regjisorëve të rinj të cilët sapo janë diplomuar dhe kanë sjellë prurje interesante”.
Nënkryetarja Elgita Bilali u shpreh se aktivitete të tilla kulturore do të kenë përkrahjen e Bashkisë.
“Bashkia Kukës tregon mbështetje dhe hap dyert për aktivitete të tilla që ndikojnë që qyteti të ketë ngjyra të tjera verore”,- tha Bilali.
Kinemaja shëtitëse nisi rrugëtimin e saj me shfaqjen e filmit të restauruar shqiptar “Lulëkuqet mbi mure”, me regji nga Dhimitër Anagnosti.
Këngëtarë të njohur të muzikës shqiptare performuan para ekranit të madh kolona zanore nga filmat kombëtare dhe jo vetëm. (Irma)