Më 9 qershor 2024, në një qendër tregtare në Shangai, fëmijë të huaj shikojnë nga afër vallen tradicionale të luanit/ foto nga Xinhua
Qysh prej fundit të vitit 2023, Kina ka publikuar një sërë masash lehtësuese për udhëtimin e të huajve në Kinë, duke përfshirë politikën e qëndrimit për 72/144 orë pa vizë. Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, nga portet ndërkombëtare të mbarë vendit hynë 14 milionë e 635 mijë vizitorë të huaj, 152.7 për qind më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndër ta, 8 milionë e 542 mijë hynë pa viza, duke zënë 52 për qind.
Me këtë prirje, gjithnjë e më shumë vlogerë të huaj kanë ardhur në Kinë me kamerat e tyre e plot kureshtje dhe etiketa "China Travel" është bërë "sekreti" i shtimit të vizitorëve të vlogut të tyre. Shumë prej tyre e kanë vizituar Kinën më se një herë dhe kanë hulumtuar "anën tjetër" të Kinës, për të zbuluar "pse Kina ka realizuar një përparim aq kolosal".
Administrata Kombëtare e Imigracionit e Kinës parashikon se në gjashtëmujorin e dytë do të shtohet edhe më tej pasioni i të huajve për të bërë vizitë në Kinë.
“City" apo jo?
Ndër videot rreth udhëtimit në Kinë, një fjali e krijuar nga vlogeri amerikan "Bear Paul", me përzierjen e anglishtes dhe kinezishtes: “city不city啊?好city啊!” ("City" apo jo? Shumë "City"!), është përhapur në platformat e ndryshme të videove, me mbi 10 milionë shikime, duke u imituar prej shumë përdoruesve të internetit.
"Bear Paul" e ka emrin real Paul Mike Ashton. Në vendlindjen e tij, Filadelfia, ka një "Qytet Kinez" të lulëzuar dhe qysh prej fëmijërisë, ai është tërhequr shumë nga aktivitetet e larmishme gjatë festave kineze. Me interesin e theksuar për kulturën aziatike, ai studioi kulturën e Kinës dhe të vendeve të tjera aziatike. Deri më sot ai ka banuar në Shangai për shtat vjet. Ky metropol plot gjallëri dhe forcë tërheqëse e ka frymëzuar shumë në krijimin e videove.
"Bear Paul" tha se risia e tij për "City" vjen nga fjala e anglishtes "citywalk" (ecje në qytet), ndërsa Shangai është i pari qytet kinez ku u përhap "citywalk". "Sipas meje, 'city' është një vend që na stimulon e ngacmon dhe gjithashtu simbolizon ato kujtimet e bukura në thellësinë e zemrës. Pra, çdo gjë që na sjell këtë ndjenjë është 'city'", tha "Bear Paul", duke shtuar se pikërisht këtë ndjenjë i ka sjellë Shangai: "Shangai është përfaqësuesi i 'City'-t."
"Çdo vloger përfytyron se veprat e tij do të përhapen gjerësisht në internet, megjithatë, kur 'City apo jo' u përhap me të vërtetë, ishte një befasi për mua," theksoi ai.
"Bear Paul" i tha gazetarit se ai është i kënaqur që përdoruesit kinezë të internetit i parapëlqejnë veprat e tij: "Unë dhe motra ime xhirojmë video për kënaqësi. Sigurisht, kjo kënaqësi imja është transmetuar te më shumë njerëz. Nuk e di sa kohë do të zgjatë kjo valë e zjarrtë, por do të vazhdoj të ndërveproj me ndjekësit dhe të krijoj më shumë video interesante."
Më 22 maj 2024, një turist i huaj mbajti në dorë kartën e komunikacionit "Shangai Pass" dhe akulloren në formën e reliktit kinez "ding" përpara Muzeut të Shangait/ foto nga Xinhua
Vlogeri 31-vjeçar amerikan Candee ka 2.5 milionë ndjekës në "YouTube" dhe "TikTok", me llogarinë “WorldNomac”. Disa muaj më parë, kur përgatiti udhëtimin në Filipine, ai pa rastësisht një video dhe mësoi për politkën e udhëtimit pa viza për në Kinë për 72/144 orë. Kështu ai mendoi të shtonte ndalesën në Kinë gjatë udhëtimit në Azi. Pas kësaj vizite, Candee postoi në "YouTube" një video 4-orëshe për udhëtimin e tij në Shangai, duke përfshirë pikat turistike, si rruga bregdetare "Waitan", kulla radiotelevizive "Perla e Orientit", tempulli "Jingan", shijimi i hajeve të ndryshme etj. Ai i tha gazetës kineze "The Global Times": "Kjo është videoja më e gjatë turistike që kam prodhuar". Deri tani në "YouTube" kjo video ka pasur 200 mijë shikime. "Shumë shikues e kanë parë deri në fund këtë video të gjatë, kjo tregon se Kina është shumë interesante. Në video ka shumë momente që ndryshojnë njohuritë tona të kaluara," shtoi ai.
Në krahasim me "nisjen e rastit" të Candee-t, fotovlogeri britanik Scott Hauss u përgatit gjatë për vizitën në Kinë. Ai i tregoi gazetarit se Kina ka qenë destinacion në listën e tij turistike, por si pasojë e pandemisë, plani i tij për të vizituar Kinën u shty tre herë. Nëntorin e vjetshëm ai e realizoi më në fund dëshirën "për ta parë nga afër Kinën". "Që nga çasti i zbritjes prej aeroplanit, gjithçka ishte e papritur. Nuk na shkonte ndër mend që kinezët janë aq miqësorë dhe që këto qytete ishin më të pastrat ndër vendet ku kam qenë."
"Seria e videove rreth Kinës ka më shumë shikime ndër videot e mia në 'YouTube', i tha Hauss-i gazetës "The Global Times". "Për një vloger të vogël, është një befasi jehona e videove rreth Kinës. Çdo herë kur hap 'YouTube'-in, shoh shtimin e numrit të shikimeve."
Më 29 maj 2024 turistë të huajë mësuan bërjen e petës brume kineze/ foto nga Xinhua
"Një pjesë e mediave perëndimore thonë fjalë të këqija për Kinën, prandaj doja ta vizitoja nga afër këtë vend. Kështu bleva biletë për në Urumqi të Xinjiang-ut," rrëfen “Ken Abroad”, vloger në "YouTube".
Në njoftimet e shumë mediave perëndimore, Xinjiang-u përshkruhet si një rajon "plot mosmarrëveshje e probleme" dhe është bërë një simbol i politizimit dhe një mjet për sulmimin e Kinës.
Në shkurt të këtij viti, “Ken Abroad” postoi videot e tij rreth turizmit në Xinjiang. Në paraqitjen e këtyre videove, ai shkroi: "Disa komentuan se ky rajon nuk është i hapur për të huajt dhe se unë nuk do të lejohesha të hyja atje. Por fakti është se munda ta vizitoja lirisht. Fill pas zbritjes, fillova të hulumtoja qendrën e qytetit Urumqi."
Në videot e tij, “Ken Abroad” thotë se shumëllojshmëria kulturore në Xinjiang i la përshtypje të thellë. "Vura re se e gjitha sinjalistika rrugore këtu, jo vetëm tabelat e dyqaneve, janë shkruar paralelisht në gjuhën standarde kineze dhe atë ujgure," u shpreh ai në një video. Në një pazar në mjedis të mbyllur, ai pa veshje ujgure, qumësht deveje, fruta të thata dhe mish jaku, duke thënë përpara kamerës: "Ky treg është shumë i ndryshëm nga tregjet në qytete të tjera kineze. Produktet që shiten këtu, më sjellin ndër mend pamjen e tregjeve në Lindjen e Mesme."
Pazar i Madh në qytetin Urumqi të Xinjiangut / foto nga CFP
“Ken Abroad” i tha gazetarit të "The Global Times" se, pas publikimit të videove rreth Kinës, pati dyshime nga një pjesë përdoruesish të internetit dhe madje ai u cilësua si "i blerë nga Kina". Duke iu përgjigjur këtyre akuzave, “Ken Abroad” tha: "Nuk e kuptova pse u trajtova në atë mënyrë, pasi vetëm thashë të vërtetën që pashë." Ai rrëfen se ka qenë në shumë shumë vende të botës, përfshirë Francën, Italinë, Spanjën, Britaninë e ShBA-në, por vetëm videot rreth Kinës morën aq shumë komente negative. "Mendoj se Kina është keqkuptuar dhe përbaltur në njëfarë mënyre. Shumë njerëz nuk duan ta njohin gjendjen aktuale të këtij vendi. Ata nuk e dinë që Kina ka bërë shumë përparime. Jam asnjanës dhe vetëm shpresoj që njerëzit të jenë më të hapur e përfshirës dhe të mos e humbin botën e vërtetë si pasojë e paragjykimeve," shprehet vlogeri. (Wang Lei/ Artan)