Kina publikon raportin mbi zbatimin e Nismës së Sigurisë Globale
2024-07-19 11:52:50


Foto nga CMG

Të enjten u publikua Raporti mbi Progresin e Zbatimit të Nismës së Sigurisë Globale, duke bërë një përmbledhje sistematike të arritjeve që nga fillimi i nismës.

Në një fjalim të mbajtur në ceremoninë e përurimit të Qendrës për Studimet e Nismës së Sigurisë Globale dhe të publikimit të raportit, ministri i Jashtëm kinez Wang Yi tha se ky raport do t'i ndihmojë të gjitha palët të kuptojnë më mirë rëndësinë praktike dhe vlerën unike të nismës si një produkt publik ndërkombëtar në fushën e sigurisë.

Qendra për Studimet e Nismës së Sigurisë Globale, me bazë në Institutin e Studimeve Ndërkombëtare të Kinës, është krijuar për të përmirësuar kërkimin në fushat përkatëse, për të mbështetur zbatimin e nismës dhe për të kontribuuar më shumë për paqen e sigurinë botërore, tha kryediplomati kinez.

Wang, gjithashtu anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së, theksoi se Nisma e Sigurisë Globale ka qenë vendimtare në trajtimin e sfidave të sigurisë dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë globale përballë një bote të ndërlikuar.

Sipas raportit të publikuar nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare i Kinës dhe Qendra për Studimet e Nismës së Sigurisë Globale, kjo nismë ka marrë mbështetje dhe vlerësim nga mbi 100 vende, rajone e organizata ndërkombëtare.

Nisma dhe konceptet e saj thelbësore janë përfshirë në më shumë se 90 dokumente dypalëshe e shumëpalëshe mbi shkëmbimet dhe bashkëpunimin midis Kinës dhe vendeve të tjera e organizatave ndërkombëtare. Ajo ka marrë vlerësime nga shumë personalitete të famshme ndërkombëtare e media me ndikim, duke krijuar një unanimitet të gjerë ndërkombëtar.

Raporti rekomandon gjithashtu që të gjitha palët të zhvillojnë forma të ndryshme dialogu e shkëmbimesh lidhur me shqetësimet rreth sigurisë globale, për të pasuruar vazhdimisht konceptin dhe përmbajtjet e Nismës së Sigurisë Globale.

Dokumenti u sugjeron të gjitha palëve të eksplorojnë dhe të zgjerojnë bashkëpunimin dypalësh e shumëpalësh lidhur me sigurinë, të rinovojnë konceptet e metodat e bashkëpunimit, të përpiqen për të promovuar bisedimet e paqes për çështjet e nxehta ndërkombëtare e rajonale dhe të mbështetin multilateralizmin e vërtetë. (Çang Çuo)