Foto nga ATSH
Instituti shqiptar i Statistikave, INSTAT, publikoi raportin e tregtisë së jashtme për periudhën janar-qershor, ku bëhet e ditur se eksportet e mallrave llogariten në 199 miliardë lekë gjatë gjysmës së parë të vitit, një rënie me 14.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023-shit.
Ndërsa importet e mallrave arritën vlerën 440 miliardë lekë, duke u rritur me 0.3%, krahasuar me një vit më parë, shkruan “ATSH”.
Deficiti tregtar arriti në 241 miliardë lekë, me një rritje prej 17.9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023-shit.
Referuar raportit, grupet që kanë ndikuar në uljen vjetore të eksporteve janë: “tekstile dhe këpucë” me 5.4 pikë përqindje, “minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me 5.2 pikë përqindje, “materiale ndërtimi dhe metale” me 2.2 pikë përqindje, etj.
Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të importeve janë: “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 2.8 pikë përqindje, “ushqime, pije, duhan” me 1.3 pikë përqindje, etj.
Ndërsa negativisht kanë ndikuar grupet “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 1.7 pikë përqindje, “tekstile dhe këpucë” me 1.3 pikë përqindje, “produkte kimike dhe plastike” me 0.4 pikë përqindje, etj. (Irma)