Fëmijët kërcejnë nën ritmet e muzikës nostalgjike shqiptare
2024-07-19 10:52:11

Foto personale

Foto personale

Në fund të muajit qershor në sallën Arturbina në Teatrin Kombëtar, “Studio dance 3 hapat” prezantoi  një shfaqje baleti  me talentë të grupmoshave të ndryshme, nën moton “Nostalgji e muzikës së viteve ’90-të”. Shfaqjet organizohen prej 10 vjetësh, nga dy herë në vit nga “Studio Dance 3 hapat”, e cila zhvillon çdo sezon shfaqje artistike në skena të mëdha. Krahas tyre, fëmijët e kësaj studio bëhen pjesë edhe në aktiviteteve të ndryshme që zhvillohen në vend. Zhanret e kërcimit në këto shfaqje janë të ndryshme dhe kjo varet nga prurjet e fëmijëve që ka për çdo sezon, por kryesisht baza është baleti klasik, që për çdo fëmijë që është pjesë e studios duhet ta mësojë për t’u përfshirë më lehtë në zhanret e tjera të kërcimit. Në intervistë për Radio Ejani, koreografia Romina Kaso flet rreth këtij aktiviteti dhe rreth punës me fëmijët.  

Koreografe Romina Kaso(Foto personale)

Koreografe Romina Kaso(Foto personale)

CMG: Muajin që shkoi "Studio dance 3 hapat" realizoi një shfaqje artistike në skenën e Teatrit Kombëtar "ArTurbina" në Tiranë. Na tregoni rreth këtij aktiviteti

Romina Kaso: Objektivi kryesor për studion tonë është që çdo vit të nxjerrim talente të reja. Vitet e fundit po shohim që ka shumë fëmijë të talentuar si në këngë, pikturë, kërcim dhe  duam ta shpalosin talentin e tyre në një skenë të vërtetë. Unë si mësuesja e tyre mundohem që të jap maksimumin për të treguar që ne prindërit e tyre, kemi patur një art të vërtetë në vitet '90-të.

Artiviteti në ArTurbina u mbajt për një orë e gjysmë ku morën pjesë fëmijë nga mosha 3-15 vjeç. Ndonëse 3 vjeçarë balerinët e vegjël  mësojnë disiplinën për të ardhmen. Për çdo moshë kërcimet janë të ndryshme, por edhe muzika gjithashtu. Nga mosha 3-6 vjeç kërcejnë me muzikë për fëmijë, që i përshtatet moshës së tyre.

Në këtë aktivitet fokusi kryesor ishin fëmijët e moshës 3-8 vjeç dhe prindërit kur i ndoqën u befasuan.

CMG: A është e vështirë për të punuar me fëmijë aq të vegjël?

Romina Kaso: Është e vështirë, duhet të kesh një metodë të caktuar për të punuar me ta, sepse edhe mërziten ndonjëherë. Ngaqë kanë shumë dëshirë për të kërcyer, japin maksimumin.

Fëmijë në shfaqje ( Foto personale)

Fëmijë në shfaqje ( Foto personale)

CMG: Ju ndani çmime në këto aktivitete?

Romina Kaso: Ne nuk japim çmime sepse nuk duam që t'i vemë fëmijët në garë me njëri-tjetrin, që të jenë të gjithë të barabartë. Të gjithë kanë veçantinë e tyre, të gjithë janë të talentuar, të bukur dhe të jenë të gjithë të parët.

CMG: Një tjetër veçanti ishte përzgjedhja e muzikës shqiptare.

Romina Kaso: Në ditët e sotme  muzika është bërë pak më e thjeshtë për t'u gjetur nga të gjithë grupmoshat nga rrjetet sociale dhe nëse unë do të përshtatesha me të njëjtën muzikë që kërkojnë e ndjekin fëmijët, nuk do të kishte kuptim nga ajo gjë që ne po bëjnë në studio. Unë dua t'i mësoj fëmijëve të kërcejnë nën tingujt e muzikës shqiptare, këngë që edhe prindërit e tyre i kanë dëgjuar  gjatë fëmijërisë së tyre.  Ata i kanë mësuar këngët  përmendësh dhe kur kërcejnë edhe i këndojnë. Gjithashtu në spektakël ne prekim nga zhanri klasik, popullor, pra i përshtasim sipas grupeve të fëmijë, duke i dhënë larmi shfaqjes. Në këtë aktivitet morën pjesë 150 fëmijë, ndoshta ju duken shumë, por më shumë prova dhe disiplinë, fëmijët dolën shkëlqyer.

Femijet gjate provave (Foto personale

Femijet gjate provave (Foto personale)

CMG: A i kanë ato emocionet e mëdha si të rriturit?

Romina Kaso: Me thënë të drejtën nuk e shoh që të kenë emocione, fëmijët e sotëm janë shumë të lirshëm. E kam vënë re që kur kam nisur punën me fëmijët dhe më ka bërë përshtypje kjo gjë, nuk e di pse i përjetojnë aq  lehtë daljet në skenë.

CMG: Në gjithë këto vite si e sheh interesin e fëmijëve apo dhe të prindërve të tyre, i sjellin fëmijët me idenë për të vijuar një shkollë profesionale baleti apo thjesht për hobi?

Romina Kaso: Fëmijët e sotëm vijnë për hobi, për të mbajtur trupin në formë, për të mësuar disiplinën, por jo që të bëhen balerinë që të drejtohen në shkollën e baletit. Disa prej tyre që kanë talent kanë konkuruar dhe janë regjistruar më pas edhe në shkollë baleti.

Femijet gjate shfaqjes (Foto perosnale)

Femijet gjate shfaqjes (Foto perosnale)

CMG: Më shumë interes kanë vajzat apo djemtë, si është raporti në grupin që drejton ti?

Romina Kaso: Më shumë interes kanë vajzat edhe pse unë i kërkoj djemtë. Është e sigurtë që  ka edhe djemtë të talentuar, kam patur disa, por më shumë janë vajzat që e kanë dëshirë baletin.

CMG: A do të shohim në të ardhmen që të ngjitesh sërish në skenë dhe të interpretosh  në TKOB?

Romina Kaso: Unë personalisht nuk interpretoj më, i kam mbyllur interpretimet. Për momentin jam vetëm koreografe dhe mësuese baleti. Fokusi im kryesor janë fëmijët dhe puna me ta.

CMG: Ndonjë mesazh i juaji?

Romina Kaso: Unë do i sugjeroja prindërve që t'i drejtojnë fëmijët drejt artit, muzikës, këngës, baletit,  sepse në këtë mënyrë i ndihmon të zhvillohen, të mësohen me disiplinën. Unë si artiste mendoj se pa art nuk ka jetë. Faleminderit për intervistën dhe shpresoj të takohemi së shpejti në aktivitete të tjera!

Koreografe Romina Kaso(Foto personale)

Koreografe Romina Kaso(Foto personale)

-Romina Kaso ka mbaruar shkollën profesionale të baletit në vitin 2006, studimet e larta i kreu në Akademinë  e Lartë të Arteve dega koreografi në vitin 2010. Ajo ka patur shumë eksperienca në fushën e televizionit, teatrit, si balerinë dhe koreografe me trupën e baletit  të televizionit Klan që nga viti 2004 deri në vitin 2017. Ka marrë pjesë në shfaqje të ndryshme skenike. Romina e ka nisur rrugëtimin artistik me fëmijët në vitin 2014 me “Studio Dance 3 Hapat”, duke nxjerrë talentë të shumtë gjatë këtyre viteve. Dëshira e saj është që të përmbushë një kërkesë dhe pasion në rritjen e brezit të ri me kërcim të zhanreve të ndryshme, me fëmijë të moshës 3 deri në 15 vjeç. Që në fazat e para të punës në këtë qendër janë angazhuar rreth 150 fëmijë të këtyre grupmoshave.  Fokusi kryesor është që ndikimi për artin dhë sidomos kërcimin të përcillet në mënyrë sa më të mirë dhe me profesionalizëm tek brezat e rinj.

Intervistoi: Sava Lena