Foto nga VCG
Për të gjetur vreshtat më piktoreske, agjencia ndërkombëtare turistike “DFDS” hulumtoi komentet e turistëve në “Google”, duke analizuar shpeshtësinë e fjalëve kyçe si “e bukur” dhe “piktoresk”.
“Ne siguruam që këto terma të lidheshin drejtpërdrejt me mjedisin e vreshtit, ç’ka na lejon t’i caktojmë secilit vresht një pikë bukurie. Mbi bazën e gjetjeve, ne bëmë një renditje të 10 vreshtave më të bukura të Europës”,- bëri të ditur agjencia.
Duke analizuar komentet, agjencia renditi vreshtat në Shqipëri si të katërtat më të bukurat në Europë, shkruan “ATSH”.
Veraria “Avaia” në Durrës e futi Shqipërinë në listën e 10 vreshtave më të bukura në Europë.
Sipas “DFDS”-së, veraria “Abaia” në Shqipëri është e re në skenën e verërave në vend. Ajo nisi kultivimin e vreshtave të saj në një sipërfaqe prej një hektari në vitin 2019 dhe prodhimin e parë e mori në verën e vitit 2021.
Ajo përdor dy varietete rrushi, shesh i zi dhe shesh i bardhë, që e kanë origjinën nga Shqipëria.
“Veraria prodhon gjithashtu raki, një pije tradicionale shqiptare me një ABV 45-50% që zakonisht shijohet së bashku me mezet në shoqërinë e miqve dhe familjes. Restoranti i kantinës, i hapur në vitin 2023, është vendi i përsosur për të shijuar kulturën shqiptare”, thuhet në artikullin e DFDS”-së. (Irma)